Rriten kursimet e shqiptarëve në banka
Fenomeni i rritjes së kursimeve që u vu re gjatë kulmit të pandemisë, është konfirmuar sërish edhe në këtë fazë, ku situata ka filluar të përmirësohet ndjeshëm.
Sipas Bankës së Shqipërisë paraja e depozituar në banka ka vijuar trendin e saj rritës edhe gjatë muajit Maj, duke shënuar duke shënuar zgjerimin më të lartë mujor gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare, stoku total i depozitave në fund të muajit të shkuar arriti një tjetër rekord maksimal historik, duke kapur shifrën e 1.13 trilionë lekëve, ose 9.1 miliardë eurove.
Krahasuar kjo me kursimet e muajit Prill, gjatë muajit maj shqiptarët kursyen gati 7 miliard lekë ose 0.6 përqind më shumë.
Por ndryshe nga viti pandemik, kur rritja e kursimeve ishte në shumicën në monedhë vendase, në pjesën e parë të këtij viti, ndikimin kryesor e ka dhënë valuta, kryesisht euro. Kjo u vu re edhe gjatë muajit Maj ku depozitat në valutë të huaj zunë rreth 68 për qind të rritjes.
Me bazë vjetore, kursimet janë rritur me 8%, ose 84 miliardë lekë, duke shënuar ecurinë më të mirë të dekadës së fundit.
Rritja e depozitave në lekë gjatë muajit maj u ndikua nga kursimet e individëve, ndërsa depozitat në valutë si nga individët ashtu edhe nga korporatat./tvklan.al























