Cikaqi: Bazuar në vizitat në terren, gjendja e grunajave e kënaqshme
Pajtim Çuni
Në Kosovë, këtë vit janë të mbjella me grurë rreth 67 mijë hektarë. Gjendja e tij është e kënaqshme dhe rendimenti mesatar pritet të jetë mbi 4 mijë kilogramë për hektar, pohojnë në Ministrinë e Bujqësisë. Por ekspertë të bujqësisë thonë se si pasojë e faktorëve klimatikë mund të ketë rënie të rendimentit të grurit dhe se këtë vit, Kosova mund të plotësojë vetëm rreth gjysmën e nevojave të saj.
Fushata masive e korrje-shirjes së rreth 67.000 hektarëve me grurë, që u mbollën në vjeshtën e vitit pandemik, do të fillojë këto ditë. Këtë vit, gjendja e grurit është e kënaqshme, tha për Radio Kosovën Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin e Politikave Bujqësore, në Ministrinë e Bujqësisë.
“Bazuar në vizitat që ne i kemi realizuar në teren, rezulton se gjendja e grunajave është e kënaqshme. Pritet një rendiment brenda mesatares së vendit tonë, e cila sillet nga 3.500 deri 4. 500 kg. Por, për vitin 2021, presim të kemi rendiment mbi 4 mijë kilogramë për hektar për kulturën e grurit në Kosovë”, tha Cikaqi.
Rendiment mesatar të grurit paralajmëron edhe profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci. Sipas tij, ketë vit, mund të ketë edhe rënie të rendimenteve, si pasojë e temperaturave të ulëta nga prilli e deri në fund të qershorit, kur të njëjtat u ngritën shumë.
“Këtë vit, te varietetet e grurit që kanë vegjetacion të vonshëm, prodhimi do të jetë normal, ndërsa tek ato të hershmet prodhimi mund të reduktohet për 20-30 për qind. Realisht, me shkallën e sipërfaqeve me grurë që ka Kosova, nëse krejt sasia e tij përdoret drejtpërdrejt për nevoja ushqyese, e jo për ushqim bagëtie, mund të plotësojë ndoshta gjysmën e nevojave për grurë”, tha ai.
Në mungesë të sasisë së nevojshme të grurit, Kosova prej vitesh është e varur nga importi. Sipas të dhënave të Doganës, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë importuar tonelata me grurë e miell në vlerë mbi 10 milionë euro. Vitin e kaluar, vlera e grurit dhe miellit të importuar
ishte pak më shumë se 35 milionë euro. Kërkesa për blerje të miellit në marsin e vitit pandemik ishte shumë e madhe, e mungesa e tij kishte bërë që në markete e mullinj të krijoheshin radhë konsumatorësh.























