Shahini: Më shumë se 4% nuk do të ketë rritje ekonomike
Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se do të ishte shumë i lumtur nëse do të mund të arrihet rritja ekonomike prej 7.9%.
Por sipas tij, më shumë se deri në 4% nuk do të ketë rritje ekonomike.
“Do të ishim shumë të lumtur nëse kjo do të ishte realitet dhe nuk besoj që kjo është e arritshme, e dëshirueshme po, e pritshme nga qytetarët sepse ka pasur premtime të mëdha por nisur nga të gjitha premisat aktuale ne nuk mund të shkojmë me rritje ekonomike më shumë se 4% deri në 4.5% maksimalisht, e që faktori ndërkombëtar si Banka Botërore e përkufizojnë ata këtë vlerë dhe ato janë të besueshme dhe ne kur flasim se do të kemi rritje ekonomike prej 7.9% atëherë duhet të dihet nga, por nëse do të ndodhë atëherë Kosova do të jetë vend lider në Ballkan, por edhe në Evropë me rritjen më të madhe në kohën kur shtetet kanë dalë nga kriza e pandemisë dhe disa janë ende në krizë”.
Por se nga do të vijë kjo rritje ekonomike prej 7.9% është i interesuar të dijë edhe kryetari i AKB-së Agim Shahini, përderisa ministri Murati nuk tregon arsyen se si do të arrihet përqindja, raporton EO.
“Mendoj që qeveria e vendit është duke tentuar që ta bind popullin se ne ato çka i kemi premtuar po i realizojmë dhe pikërisht kjo ka qenë një pikat e fushatës që kjo do të ndodhë, por nuk varet tash nga premtimet por nga veprimet, varet nga reformat nga rritja ekonomike, nga eksporti, prodhimi, rritja e konsumit dhe të gjitha këto janë faktor që ndikojnë në rritjen e vendit dhe këto janë duke shkuar në trend pozitiv por jo me atë që ne do të shkojmë në atë përmasë të madhe”.
“Ne dëshirojmë që të ja ketë qëlluar ministri Murati për të cilën ne do të duartrokasim por derisa ai nuk tregon ne kemi dilemat tona”.























