Grupi punues për zbatimin e Ligjit për shoqëritë tregtare vizitoi OEK-un
Grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare, i udhëhequr nga kryesuesja e grupit deputetja Mimoza Kusari – Lila, e shoqëruar nga deputeti Driton Hyseni, realizoi sot vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).
Deputetët u pritën nga Kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj me bashkëpunëtorë.
Kjo vizitë u realizua në vazhdën e aktiviteteve të grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare për të dëgjuar nga afër qëndrimet e OEK-ut lidhur me zbatimin e këtij ligji.
Nga OEK u tha se bizneset nuk kanë ndonjë problem të theksuar sa i përket zbatimit të ligjit për shoqëritë tregtare. Ata shtuan se, sa i përket kuotës gjinore në bordet e shoqërisë aksionare që është normuar me Ligjin për shoqëritë tregtare, nga bizneset po shihet si kufizim i aksionarit në caktimin e bordit dhe kërkuan që të rishikohet kjo çështje dhe të lihet në vullnetin e aksionarit të caktojnë bordin pa kufizuar kuotën gjinore për gratë. Po ashtu ata kërkuan që të gjenden forma të mbështetjes për biznese të cilat plotësojnë kuotën gjinore.
Deputetët duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve theksuan se ka rritje të plotësimit të kuotës gjinore në bordet e shoqërive aksionare. Deputetët shtuan se ka nevojë edhe më tutje të fokusohemi në mbështetjen e grave në biznes, përkatësisht në vendimmarrje të bizneseve.
Deputetët kërkuan nga përfaqësuesit e OEK-ut që bizneset të punësojnë gra dhe të plotësojnë kuotën gjinore. Ata theksuan se duhet të shihen mundësitë për përkrahjen e bizneseve të cilat e plotësojnë kuotën gjinore. Deputetët bënë edhe pyetje tjera për sfidat e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare për të cilat morën përgjigjen nga përfaqësuesit e OEK-ut.
Aktivitetet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për shoqëritë tregtare do të vazhdojnë edhe më tutje duke realizuar takime me oda tjera ekonomike.























