Të huajt do të ndërtojnë autostrada për ne pa tender
BKT
Ekonomi

Të huajt do të ndërtojnë autostrada për ne pa tender

Në vend që me tender, me ligj është zgjedhur një kompani që do të ndërtojë autostrada.

Ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10 është tani një rrugë e hapur drejt korrupsionit, vlerësojnë nga anti-korrupsioni, pas ligjit të votuar, që zgjodhi konsorciumin amerikano-turk “Behtel dhe Enka” për të ndërtuar rrugë. Sipas Antikorrupsionit, zgjidhja ligjore paraqet rrezik të lartë të korrupsionit dhe konflikt të interesit si dhe e prish sistemin ligjor duke shkelur parimet kushtetuese të lirisë së tregut, si dhe parimin e marrjes së masave kundër monopolit.

Ka boshllëqe juridike në Ligj, që lënë hapësirë për subjektivizëm, arbitraritet, ndikim politik, tregti të pushtetit dhe diskrecion në krijimin e komitetit negociues  – deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetare e KSHPK.

Për anti-korrupsionin, kontestuese është zgjedhja e kompanisë, sepse ajo tashmë është e lidhur me një seri skandalesh korrupsioni në ndërtimin e rrugëve në Ballkan.

Ne nuk kemi asnjë shpjegim saktësisht pse kjo kompani, e cila tashmë ka dëshmuar në një mënyrë të caktuar, të paktën sipas mediave, se ka marrë pjesë në një seri skandalesh korrupsioni, është rizgjedhur për partner strategjik …? – u shpreh Vladimir Georgiev, anëtar i KSHPK.

Në të njëjtën mënyrë, para disa viteve qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit lidhi marrëveshje pa tender me kompaninë kineze “Sinohidro” për akset Kërçovë- Ohër dhe Milladinovc- Shtip. Për këtë, tani gjykohen Gruevski, Mile Janakieski dhe ish zv/ kryeministri Vlladimir Peshevski.

Kaluan tashmë shtatë vite nga ajo marrëveshje në katër sy me “Sinohidro” dhe me ligj të miratuar me parimin e njëjtë. Të gjithë e dimë sa ishte dëmi dhe ka mbetur ende pa u zbardhur, dhe tani po vazhdohet sërish në katër sy – deklaroi Nuri Bajrami- anëtar i KSHPK.

Por, derisa anti- korrupsionerët në konferencë shtypi kërkonin presidenti Pendarovski të mos e firmos dekretin, ai veç më e kishte bërë këtë.

Ligji është miratuar me shumicën e nevojshme dhe më pas asnjë deputet apo grup deputetësh nuk votoi kundër – thonë nga kabineti i Pendarovskit.

Pendarovski fton të gjithë institucionet dhe individët që kanë dyshime lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit, të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e anti- korrupsionit paralajmëruan se do ta bëjnë këtë. Sipas marrëveshjes, “Behtel Enka” duhet t’i projektojë dhe ndërtojë akset Tetovë- Gostivar- Bukojçan, Trebenishtë- Strugë- Qafë Thanë dhe Prilep- Manastir. Çmimi për momentin nuk është i njohur./ ALSAT


MË SHUME NGA Ekonomi