Studim për 4 korsi në aksin Milot-Shkodër
BKT
Ekonomi

Studim për 4 korsi në aksin Milot-Shkodër

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka akorduar një financim me të cilin do të hartohet, studimi që dublon Autostradën Milot-Lezhë për ta bërë me katër korsi nga dy që është aktualisht.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës në raportin e monitorimit janar-prill 2021 njoftuan se u “akorduan 259 milionë lekë për financimin e studimeve dhe projektimeve: Projekti i rrugës By Passi Elbasan, Dublim i rrugës Milot-Lezhë-Shkodër, rruga Vaqarr – Kavajë dhe Studim i fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane”.

Përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese nga Miloti në Balldren ishte parashikuar nëpërmjet ndërtimit të autostradës Milot-Balldren me koncesion PPP.

Koncesioni, i cili pati një kontestim të lartë në opinionin publik dhe në grupet e ekspertëve për kostot e larta u pezullua gjatë vitit të kaluar me argumentin se kriza pandemike ndikoi negativisht të ardhurat buxhetore e për rrjedhojë Milot-Balldren nuk do të financohet.

Më herët, dështimi i koncesionit dhe mosfinancimi i tij me fonde publike ishte lajmëruar edhe nga zyrtarë të lartë të qeverisë. Tani dy vite nga nënshkrimi i kontratës, ANK, kompania që ka fituar të drejtën e koncensionit ende nuk ka nisur punën.

Por nga ana tjetër, Ministria e Financave vazhdon ta kontabilizojë koncesionin Milot-Balldren në llogaritë fiskale të qeverisë edhe pse financimet shënohen me zero.

Veprimet e fundit të qeverisë për të financuar me fondet e veta një projekt që dublon aksin-Milot- Shkodër tregojnë se qeveria e anashkaluar financimin e koncesionit.

Aksi rrugor Milot-Shkodër është 55 kilometër i gjatë, dhe përshkohet aktualisht për rreth një orë. Zhvillimi i vrullshëm i turizmit në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, si rrjedhojë e arritjes së shpejtë të turistëve nga Kosova, rëndojnë trafikun gjatë sezonit turistik. Përveç trafikut, aksi nga Miloti në rreth-rrotullimin e Lezhës është një pikat e zeza me intensitetin më të lartë të aksidenteve në vend.

Investimet në autostradën e Kombit e kanë rritur trafikun në aksin e qendrës nga Miloti në Shkodër, nga Fushë-Kruja në Tiranë dhe në Durrës, ndërkohë që investimet e reja në këto zona mungojnë.


MË SHUME NGA Ekonomi