IKSHPK jep rekomandime se si të parandalohen sëmundjet që barten me ujë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) përmes një njoftimi për medie ka thënë se duhet parandaluar sëmundjet që barten me ujë.
Në komunikatën e IKSHPK-së thuhet se “Uji i pijshëm duhet të jetë brenda kritereve të përcaktuara sipas rregulloreve në fuqi, në mënyrë që mos të dëmtojë organizmin”.
IKSHPK në njoftim thekson se luan rol të rëndësishëm për organizmin e njeriut. Ndotja e ujit dhe përdorimi i tij ndikon në shëndetin e njeriut.
Më tej, instituti pohon se nga përdorimi i ujit të ndotur shkaktohen më shumë se 200 sëmundje, disa prej të cilave shkaktohen nga ndotja e ujit me jashtëqitje të njeriut ose të kafshëve.
Rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e sëmundjeve që barten me ujë:
• Konsumoni ujë të sigurt/ të dezinfektuar për pije. Në mungesë të tij, vlojeni ujin së paku 10 minuta dhe ftoheni para përdorimit.
• Ruani ujin në enë të pastërta.
• Mos kyçni bunaret në rrjetin e ujësjellësit.
• Lani duart para dhe pas përgatitjes dhe ngrënies së ushqimit.
• Lani duart me ujë të pastër dhe sapun pas përdorimit të toaletit, ndërrimit të pelenës së fëmijës, kujdesit ndaj personit tjetër si dhe kujdesit ndaj kafshëve.
UJI I PASTËR – SËMUNDJA LARG”.
Rekomandimi i IKSHPK-së vjen pak ditë pasi mbi 1 mijë qytetarë të Deçanit u helmuan dhe pas analizave u gjetën baktere në ujë.























