BSH: Interesat e kredisë në lekë u ulën në 6.51%
Gjendja e shëndetshme e sistemit bankar po mban nën kontroll normat e interesit të kredisë, çka po ndihmon në nxitjen e investimeve të reja me kredi bankare, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Norma mesatare e interesit të kredive në lekë u ul në 6.51% në pesë mujorin e parë të këtij viti, nga 6.52% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, janë ulur interesat e kredisë në lekë, për blerje banesash dhe të kredisë për qëllime të tjera.
Ndërsa vërehet një rritje e lehtë në interesat mesatarë të kredive konsumatore dhe overdrafteve.
Kredia për blerje banesash në lekë u dha me një normë mesatare interesi 3.57%, nga 3.68% për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa norma e interesit të kredisë konsumatore në lekë, ka shënuar 8% dhe e overdrafteve u rrit në 11.8%, nga 11.6% që kishin qenë një vit më parë. /atsh























