Një kompani shqiptare në ‘London Stock Exchange’ në 1929

Një kompani shqiptare në ‘London Stock Exchange’ në 1929

Një kompani shqiptare në ‘London Stock Exchange’ në 1929! Historia e sipërmarrjes që tentoi qendrën financiare të botës në mes të vorbullës që solli ‘Depresionin e Madh.’

Edhe pse kishte disa vite që kishte nisur ndërtimi i një modeli ekonomik të ngjashëm me atë të perëndimit, në vitet ’20-’30 nuk kanë munguar përpjekjet e ndryshme nga ana e tregtarëve shqiptarë që të ndërmerrnin lëvizje të guximshme financiare e nganjëhere edhe të komplikuara nëse mbahet parasysh konteksti kohor dhe stadi zhvillimor i vendit.

Në fundin e viteve ’20, nevoja për financim do t’i bënte disa tregtarë shqiptarë që për të shpëtuar kompaninë e tyre, të arrinin deri aty sa ta listonin në qendrën financiare të botës, në “London Stock Exchange”.

Gjithçka lidhet me projektin e ndërtimit të një fabrike birrë në Shkodër. Sipërmarrja duket si aventurë edhe për ditët e sotme, megjithatë në fundin e viteve ’20 u lëvizën të gjithë ‘gurët’; politikë, financiarë e diplomatikë me qëllim që kjo sipërmarrje të finalizohej.

Gjithçka lidhet me koncesionin e parë të fabrikës së birrës, 2 vite para se të miratohej koncesioni i fabrikës së birrës “Korça” (1928).

Vëllezërit Kakarriqi dhe lidhja e tyre me kryeqytetin botëror të birrës

Parlamenti votoi me 26 dhjetor të vitit 1926 koncesionin për ngritjen e një fabrike birrë në Shkodër. Kompania ishte planifikuar fillimisht të emërtohej “Birra Kakarriqi”, në emër edhe të përfituesve me të njëjtin mbiemër. Mark Kakarriqi dhe vëllai i tij Tush Kakarriqi ishin përfituesit e koncesionit.

Vëllezërit Kakarriqi në atë kohë ishin biznesmenë të njohur në Shkodër dhe kishin aktivitet ekonomik në shumë sektorë.

Më i njohuri ndër ta ishte Mark Kakarriqi, ekonomist i aktivizuar gjithashtu në shtypin e kohës në debatin për zhvillimin e vendit por dhe me një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare.

Kakarriqi bashkëpunonte me investitorë britanikë por interesi strategjik i këtyre të fundit në Shqipërinë e atyre viteve  do të ndryshonte për shumë arsye e si rrjedhojë do të reflektohej edhe te projektet që ishin në letër.

Ndërkohë, vëllai tjetër, Tush Kakarriqi kishte një eksperiencë të gjatë në fushën e prodhimit të birrës si rrjedhojë e bashkëpunimit që ai kishte pasur me kompanitë më të mëdha të birrës në Gjermani.

Duhet kujtuar fakti se deri në krijimin e fabrikës së birrës, e gjithë birra importohej nga jashtë, edhe pse mund të kishte ndonjë punishte të vogël për konsum minimal.

Tush Kakarriqi kishte kryer edhe një shkollë të posaçme teknike në Mynih të Gjermanisë ku ishin fabrikat më të njohura të birrës, duke e bërë atë personin më të kualifikuar për të drejtuar prodhimin e birrës në fabrikë.

Projekti për fabrikën e parë

Koncesioni i dhënë për fabrikën e birrës Kakarriqi parashikonte kushte lehtësuese dhe një serë stimujsh fiskale që do të mundësonin që kompania të dilte me fitim në një treg si Shqipëria.

Referuar marrëveshjes, koncesionari detyrohej të fillonte fabrikimin e birrës brenda 18 muajve nga data e shpalljes së koncesionit.

Marrëveshja parashikonte përjashtimin nga tagri doganor e taksa të tjera për të gjitha materialet e makineritë për ngritjen e fabrikës. Qeveria, për të ruajtur këtë industri, nga konkurrenca e jashtme angazhohej të vinte një taksë të posaçme mbi birrën që importohej.

Ndërkohë, koncesionari detyrohej t’i paguante shtetit një taksë prej 2.75 franga ari për çdo hektolitër birrë të prodhuar. Eksportimi i birrës do të lejohej kur koncesionari të kishte plotësuar sasinë e kërkuar për konsumin e vendit.

Pas një viti, do të formohej një shoqëri anonime me emrin “Birra Kakarriqi Shkodër” me një kapital prej 750 mijë franga ari. Po ashtu, u hartua edhe statuti i shoqërisë që u dekretua me 1 mars 1928.

Për arsye të ndryshme,  shoqëria kërkoi disa herë zgjatje të afatit, që në fakt iu akorduar nga qeveria. Zgjatjet e afatit u bënë deri me 26 janar 1931, por sërish nuk u arrit ngritja e fabrikës dhe vënia  në funksion e saj.

Haxhi Shkoza tregon se vitin 1930 “punimet për ngritjen e një fabrike madhështore në Shkodër filluan me një entuziasëm shembullor e përparuan mjaft por mjerisht mbas pak kohe ato u pezulluan dhe për tash duket i humbur gjithë ai kapital i derdhur për atë qëllim”.

Ngritja e kësaj fabrike ishte e lidhur edhe me “fatin” e një fabrike tjetër, Birrës Korça. Kjo e fundit ishte një koncesion që iu dha një shqiptari dhe një italiani për një afat 25 vjeçar. Në rast se do të ngrihej dhe vihej në funksion birra Kakarriqi në Shkodër, atëhere Birra Korça do të përfitonte automatikisht një zgjatje me 10 vite të afatit të koncesionit.

Përpjekja për listim në bursën e Londrës

Por elementi më interesant është se pas dështimit të parë, kompania e birrës e Shkodrës tentoi të bëjë një lëvizje të madhe financiare, që jo vetëm synonte ta bënte funksionale këtë fabrikë, por edhe të arrinte deri aty sa të listohej në bursën e Londrës, ‘London Stock Exchange’.

Pas dështimit të parë të ngritjes së fabrikës, vëllezërit Kakarriqi tentojnë të angazhojnë kapital britanik për funksionimin e saj. Në këtë mënyrë, ata themelojnë një kompani që merrte të drejtat mbi koncesionin 99 vjeçar të fabrikës.

Kompania e re e krijuar u emërtua “Albanian National Brewery”. Kjo kompani parashikonte të niste prodhimin me 31 dhjetor të vitit 1929, tre vite nga marrja e koncesionit.

Koncesioni i lejonte kompanisë që të eksportonte në vende të tjera birrën që do të prodhonte mbi nevojën e konsumit të vendit, me zero taksa.

Në kohën e dhënies së koncesionit, e gjithë birra që konsumohej në Shqipëri vinte nga jashtë. Vlerësimet paraprake flisnin për një nivel importi që varionte nga 52 mijë deri në 60 mijë hektolitra.

Në këto kushte, parashikohej që veç prodhimit për tregun vendas, fabrika të prodhonte edhe për eksport.

Pozicioni gjeografik i fabrikës do ta vendosë atë në një vend të favorshëm për të plotësuar kërkesën për birrë në Egjipt, Greqi, Palestinë dhe në Gjirin verior afrikan. Lehtësitë e transportit detar do ta vendosin kompaninë në një pozicion të favorshëm për të transportuar birrën me çmime të ulëta dhe parashikimet janë që në këtë mënyrë të sigurohen fitime të mëdha” shkruhej në dokumentet e kompanisë së themeluar në Londër.

Kompania parashikohej që të merrte në zotërim një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë në zonën e Shkodrës, që konsiderohej si një pikë strategjike për transportin detar që do t’i bëhej birrës që prodhohej.

Po ashtu, kjo zonë mundësonte akses në ujë të pijshëm që kimikisht konsiderohej nga ekspertët se ishte i ngjashëm me ujin që përdorej për prodhimin e birrës në Mynih të Gjermanisë, ku birra ishte e famshme.

Projekti i mobilizimit të investimit britanik parashikonte angazhimin e një kompanie tjetër që kishte modeluar e rimodeluar 250 fabrika birre në Angli dhe në vende të tjera.

Parashikohej që fabrika të krijonte depot e saj në portet e Shkodrës, Durrësit dhe Shëngjinit dhe depo në qytetet kryesore si Tiranë, Shijak, Krujë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Përmet, Berat, Gjirokastër, Lushnje, Vlorë, Sarandë, Korçë dhe Pogradec. Në këto qytete transporti do të bëhej nga karroca me motor. Ndërkohë, parashikohej që në qytetet e mëdha të ngriheshin punishte shishesh me qëllim konsumin final në popullatë.

Një “Sir britanik” për drejtimin e kompanisë

Si drejtor i kompanisë ishte propozuar ish ambasadori shumë i famshëm i Britanisë në Shqipëri, Harry Eyres.

Ai është mik personal i mbretit të Shqipërisë dhe respektohet universalisht në vend dhe ka një njohje të mirë të vendit dhe të traditave lokale” shkruhet në dokumentin e themelimit të kompanisë.

*Harry Eyres, ish ambasadori britanik në Shqipëri 1922-1926

Po ashtu parashikohej që Mark Kakarriqi, themelues dhe përfitues i koncesionit të shërbente si drejtor menaxhimi.

Vetëm nga shitja në tregun lokal llogaritej se kompania do të kishte të ardhura jo më pak se 94 mijë paund.

Aplikimet për aksione në kompaninë e birrës duhej të bëheshin ‘Lloyd Bank’ në Londër ndërsa zyra e regjistruar e kompanisë parashikohej të ishte në Angli.

Kapitali i kompanisë parashikohej të ishte 400 mijë paund dhe kompania do të kishte 800 mijë aksione të zakonshme.

Kompania parashikohej të listohej në ‘London Stock Exchange’ ndërkohë që ishin kontraktuar edhe 4 kompani të njohura për brokerim, dy me bazë në Londër, një në Liverpul dhe një në Mançester. ‘Baily, Mercer Karo’, ‘Charlesworth Bennett & Co’, ‘Chrichton Bros & Townley’ dhe ‘Halliday & Teasdale’.

*Aplikimi i kompanisë ‘Albanian National Brewery”, Arkiva e shtetit 

Në fakt, ”London Stock Exchange” ra në shtator të vitit 1929, sëbashku me Wall Street, duke sinjalizuar nisjen e atij që njihet si “Depresioni i Madh”

Zhvillimet e mëvonshme do të bënin që projekti të mos finalizohej as këtë herë dhe kompania të mos mblidhte dot kapitalin e kërkuar. Pas këtij dështimi, kompania u përfshi në një serë gjyqesh, të cilat do të vazhdonin edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, kjo kompani mund të konsiderohet si një ndër kompanitë e para shqiptare që tentoi të listohej në një prej bursave më të famshme të botës duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë moderne financiare të Shqipërisë.