Hezitimi për legalizim prej çmimit të lartë të gjeodetëve
Hezitimi për legalizim të objekteve vjen si pasojë e çmimit të lartë të gjeodetëve Në Komunë e Prishtinës janë të regjistruar 40 mijë objekte pa leje.
Prej tyre vetëm 2900 banorë kanë aplikuar për ta legalizuar pronën e tyre.
Ajet Brajshori është banori i cili thotë ta ketë ndërtuar shtëpinë pa leje.
Ai ka aplikuar tash e disa vite për legalizimin e objektit dhe është në pritje që të përfundojë afati i aplikimit e me pas shpreson t’i legalizohet shtëpia dhe të mos i rrënohet.
1 euro për metër katrorë i ka kushtuar Brajshorit që është dashur t’i ja jap një gjeodetit privat për t’ia bërë matjet.
Ky çmim po i duket tejet i shtrenjtë Brajshorit.
“Shtëpinë e kam diku prej 210 m2 dhe po aq para më kushton matja”, thotë Brajshori, duke shtuar se çmimi i lartë i aplikimit për legalizim është arsyeja përse banorët e Kodrës së Trimave po hezitojnë t’i përgjigjën obligimit komunal, raporton magazina televizive “Ju flet Prishtina”.
Murat Hoxha, kryetari i Gjeodetëve të Kosovës, thotë se nuk është i shtrenjtë 1 euro çmimi i matjes.
“Nëse objekti është i ndërtuar para vitit 2004 nuk paguan fare. Ndërsa pas kësaj periudhe paguan një taksë në drejtorinë e Urbanizmit 1 euro për m2. Nëse një objekt është në sipërfaqe 10×10, dy katesh atëherë i kushton matja 210 euro, po aq sa i kushton çmimi në Urbanizim. Me 450 euro kompletohet çmimi për t’u legalizuar objekti pa leje.”, ka deklaruar Hoxha, për magazinën “Ju flet Prishtina”.
Nga 6 euro për metër katrorë tashmë vetëm 1 euro është çmimi për ta legalizuar objektin.
Vetëm 2915 është numri i aplikimeve deri më tani për ta legalizuar objektin.
Procesi i aplikimit për legalizim ka filluar më 15 korrik 2019 dhe do të përfundojë më 5 shtator të këtij viti.
Komuna po planifikon që së bashku me Ministrinë e Ambientit të dakordohen që afati të shtyhet edhe për një vit.























