Rumania me angazhim për rimëkëmbjen post-pandemike
Në vizitën e parë zyrtare në Rumani, Anna Bjerde, zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, vuri në dukje rritjen e fundit ekonomike të vendit dhe reagimin efektiv ndaj krizës ekonomike dhe shëndetësore COVID-19. Këto përpjekje pritet të mundësojnë një kthim në nivelet e rritjes para-pandemike në 2021.
Gjatë vizitës së saj, znj. Bjerde ritheksoi angazhimin e Bankës Botërore për të mbështetur Rumaninë në ndërtimin e një rimëkëmbjeje të gjelbër, elastike dhe gjithëpërfshirëse post-pandemike. Znj. Bjerde theksoi nevojën për të zbatuar reforma të guximshme strukturore dhe konsolidimin fiskal, duke siguruar mbrojtjen e personave më të cenuar dhe forcimin e institucioneve të vendit. Znj. Bjerde theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme nga Banka Botërore në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Integrimin e Romëve.
“Para pandemisë, Rumania përjetoi një nga ritmet më të shpejta të rritjes ekonomike në Bashkimin Europian (BE) dhe një ulje të konsiderueshme të varfërisë”, tha znj. Bjerde. “Por vendi ka nevojë për institucione më të forta dhe disiplinë fiskale për të ruajtur rritjen ekonomike. Ndërtimi i rezistencës ndaj rreziqeve natyrore dhe ndryshimit të klimës duhet të trajtohet me më tepër urgjencë, në mënyrë që Rumania të arrijë një rimëkëmbje të qëndrueshme dhe të njëtrajtshme”.
Vizita u krye në datat 12-14 korrik dhe përfshiu takime të nivelit të lartë dhe diskutime të thelluara me autoritetet qeveritare, shoqërinë civile, sektorin privat dhe partnerët e zhvillimit. Znj. Bjerde u takua me presidentin Klaus Iohannis, për të diskutuar në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të Rumanisë për rimëkëmbje, duke përfshirë reformat në arsim pas sfidave post-pandemike. Ajo gjithashtu u takua me kryeministrin Florin Cîțu dhe anëtarët e tjerë të kabinetit, për të diskutuar mbi Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (NRRP) dhe përparësitë e reformave që mbështesin një rikuperim të qëndrueshëm fiskal, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës në vend.
“Rumania ka një mundësi të pashembullt për të përparuar në zhvillimin e reformave në sektorët kryesorë përmes fondeve nga NRRP dhe Fondeve Strukturore dhe Investimeve Europiane 2021-2027”, tha Florin Cîțu, kryeministri i Rumanisë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me Bankën Botërore drejt kompletimit të një axhende të suksesshme të reformave”.
Znj. Bjerde i përdori takimet si një mundësi për të prezantuar Znj. Gallina A. Vincelette, drejtoreshën rajonale për vendet e BE-së dhe znj. Anna Akhalkatsi, menaxheren e re për Rumaninë dhe Hungarinë. Znj. Bjerde u shoqërua edhe nga Koen Davidse, drejtori ekzekutiv në Bordin e Bankës Botërore.
Vizita shënoi nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit (MM) midis Bankës Botërore dhe qeverisë së Rumanisë, për sigurimin e vazhdueshëm të shërbimeve këshilluese deri në vitin 2029. Sipas këtij Memorandumi, Banka Botërore do të mbështesë qeverinë në përpjekjet për të arritur standardet e BE-së, për të përparuar në prosperitetin e përbashkët, për të zbutur varfërinë, për të promovuar përfshirjen sociale dhe për të forcuar kapacitetin e përgjithshëm të administratës publike.























