Ekonomia turke po përparon në një linjë të balancuar
Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të hënën se Turqia e ka ngritur lart nivelin e suksesit në ekonomi, bujqësi dhe tregti.
Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë ceremonisë së përurimit të një fabrike dhe infrastrukture në kryeqytetin Ankara të vendit.
“Ne shënuam një rritje prej 7% në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe, me lejen e Allahut, do ta mbyllim me një rritje serioze gjithashtu tremujorin e dytë”, u shpreh ai.
Duke tërhequr vëmendjen se ekonomia turke po përparon në një linjë të balancuar për sa i takon kërkesës, prodhimit dhe eksportit, Erdogani tha se ajo është kthyer në një ekonomi sipërmarrëse nga dita në ditë.
“Turqia tani po ngrihet në një ligë të re në botë, veçanërisht në prodhim dhe eksport”, saktësoi presidenti dhe vijoi me këto fjalë: “Unë besoj që ne do ta kurorëzojmë vitin 2021 me një grafik suksesi që tejkalon pritjet në të gjithë treguesit kryesorë.”
Sipas tij, çdo teknologji që dëmton mjedisin, pavarësisht se sa mund ta lehtësojë jetën, nuk është gjë tjetër veçse një armë me tytën e drejtuar nga njeriu.
“Ne do të zbatojmë masa shtesë në mënyrë që të mos mbetemi prapa ekonomisë së gjelbër në periudhën e ardhshme”, theksoi lideri turk.
Erdogani vuri në pah gjithashtu se fundi i çdo hapi që shkatërron ekosistemin, është një katastrofë.
“Prandaj unë besoj se ne duhet të respektojmë parimin e rritjes së dhembshur në të gjitha fushat, në vend të rritjes së egër”, deklaroi presidenti turk mes të tjerash.























