Realizon amanetin e babës – kthehet për të investuar fabrikë në vendlindje
Fadil Gashi
Sot, në Istog, me një ceremoni solemne, hapet fabrika për prodhimin e shtëpive të parafabrikuara, investim i afaristit të suksesshëm nga Istogu Ukë Blakaj, pronar i kompanisë “Wolf GmbH” me seli në Gjermani. Investimi i tij në Istog, në vendlindjen e tij, kap shifrën disa milionshe. Ndërtimi i fabrikës ka nisur në vitin 2020, ndërsa aty janë punësuar 80 punëtorë. I gjithë prodhimi është i dedikuar për tregun gjerman dhe evropian.
E kishte amanet nga i ati, Mustafë Blakaj, një mësues atdhetar, që frymëzoi me dhjetëra gjenerata si duhet atdheu, që mos ta harronte vendlindjen dhe një ditë të kthehej për të investuar në Istog.
Ukë Blakaj, i cili, ia kishte dalë të bëhej një afarsit i suksesshëm në Gjermani, ku ishte larguar nga vendlindja si 19 vjeçar, këtë amanet e kishe kryer kur kishte investuar në ndërtimin në Istog të kompleksit hotelier turistik “Skenderbu”, por kjo iu kishte dukur pak.
Pasi ishte larguar nga vendlindja në Gjermani, Ukë Blakaj, atje kishte treguar sukses, kur kishte themeluar kompaninë e tij “Wolf GmbH”, e cila merret me shërbime ndërtimore dhe në fokus ka prodhimin e shtëpive të parafabrikuara. Ai ka zgjedhur përsëri vendlindjen e tij, që të bëjë një investim tjetër në vlerë disa miliona.
Në Istog, në zonën industrial në Sinajë të Istogut, ai përuron sot, fabrikën për prodhimin e mureve të parafabrikuara për shtëpi nga druri, që dedikohen për tregun gjerman dhe evropian. Në këtë fabrikë ai ka punësuar 80 punëtorë, ndërsa më vonë planifikon edhe zgjerimin e kapaciteteve.
Kompania “Wolf GmbH”, në Gjermani, e afaristit nga Istogu, Ukë Blakaj, aktualisht numëron mbi 120 punëtorë. Ata janë kryesisht shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por ka edhe gjermanë dhe të nacionaliteteve të tjera.























