DhAT thotë se ka rënë besimi ndaj biznesit në Shqipëri
BKT
Ekonomi

DhAT thotë se ka rënë besimi ndaj biznesit në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë vëren se edhe gjatë vitit 2020 klima e përgjithshme e të bërit biznes në Shqipëri mbetet e pafavorshme.

Krahasuar me 2019 ka një rënie prej 0.5% Më shumë se 71 për qind e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, vetëm 9 për qind e vlerësojnë si pozitive dhe 20 për qind si neutrale. Ky është niveli më i ulët i Indeksit të Besimit që nga viti 2012.

Sipas studimit, 80 për qind e të anketuarve deklaruan se performanca e ekonomisë shqiptare, punësimit, investimeve, shkëmbimeve tregtar kane rënie 

Afro 60 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si të pafavorshëm nivelin aktual të taksave dhe jokonkurrues në rajon, njofton euronews.albania.

“Qeveria duhet të heqë dorë nga shumë burokraci dhe të krijojë një klimë më të favorshme për investitorët e huaj, në mënyrë që të tërheqë më shumë prej tyre. Shumë investitorë të huaj preferojnë të mos investojnë fare në Shqipëri, sepse fatkeqësisht, shumë pak mund të bëhet në klimën e biznesit në lidhje me lejet dhe lehtësinë e funksionimit pa ndërhyrje joformale” – thuhet në studimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Anëtarët e Dhomës Amerikane theksojnë më së shumti nevojën e madhe për “luftë ndaj korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës në Shqipëri”. Taksat e larta janë një tjetër shqetësim.

Të anketuarit në studim, pohojnë se ka nevojë për një luftë e vërtetë kundër krimit të organizuar, ryshfeteve, ulje të informalitetit dhe zbatimin e rregullave të BE-së për trajtim të njëjtë ndaj gjithë operatorëve ekonomikë, si dhe politika të qëndrueshme fiskale.

Bizneset pohojnë se pronat private nuk respektohen, janë krijuar monopole dhe oligarki në çdo sektor.

Ata i kërkojnë qeverisë të mbështesë firmat prodhuese që marrin punëtorë të rinj dhe që ulin papunësinë.

Kërkojnë zbatim të shpejtë të reformave për të zhvilluar ekonominë e tregut dhe për të rritur rolin e Shqipërisë në rajon.


MË SHUME NGA Ekonomi