Shqyrtohet në parim projektligji për metalet e çmuara
Është shqyrtuar në parim projektligji për punimet nga metalet e çmuara në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndrërmarrësi dhe Tregti.
Ministrja e Ekonomisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtsi, Rozeta Hajdari, në mbledhjen e këtij komisioni, ngriti dyshime se me ligjin aktual mund të manipulohet me përzierjen e metaleve.
“Me ligjin aktual kemi hapësirë për të manipuluar në përzierje të metaleve. Kemi pasur diskutime në kabinet pasi ka ardhur drafti i parë për metale të çmuara”.
Hajdari ka treguar se ka takuar edhe shoqatën e artarëve, që kanë diskutuar për “praktikat tregojnë që disa shtete e aplikojnë vulën disa jo”.
“Ne si Qeveri duhet të kujdesemi edhe për artarët. Problemi kryesor ka qenë siguria dhe vula me të cilat artarët tanë ballafaqohen”, ka thënë Hajdari.
Zyrtarja e Agjencisë së Metrologjisë në kuadër të MINT, Sebahate Ibrahimi, ka thënë se për kontrollin e metaleve të çmuara kanë marr modelin slloven.
“Ne kemi laboratorin e kontrollit të cilësisë së metaleve dhe kryejmë kontrolle të punimeve në treg. Sa i përket prodhuesve kemi marrë modelin e Sllovenisë. Çdo punim që na vjen duhet të kontrollohet cilësia pastaj të importohet në treg”, ka thënë ajo.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti i PDK-së, Fertat Shala, ka thënë se ligji për metalet e çmuara është i nevojshëm, duke treguar se do ta rregullonte edhe më mirë tregun në Kosovë.
Ndërsa, anëtari tjetër i këtij komisioni, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, bëri pyetje për inspektimet dhe problemet që kanë hasur inspektoriati gjatë inspektimeve.
“A mund të na tregoni çfarë probleme keni hasur në inspektime. A ka pasur analizë studimore që kanë bërë të nevojshëm rregullimin urgjent”, ka thënë Muja.























