Rusinovci: Subvencionet ndihmesë e madhe për bujqit e Kosovës

Rusinovci: Subvencionet ndihmesë e madhe për bujqit e Kosovës

Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do të mbështesë me subvencione të gjithë bujqit që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet e parapara për subvencione.

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Këtë vit, për pagesa direkte për kultura e veprimtari të ndryshme bujqësore janë ndarë 21 milionë euro. Për përfitimin e subvencioneve, bazuar në kriteret e përcaktuara, fermerët mund të aplikojnë deri më 28 shtator. 

Shumë bujq u brengosen nëse do të ketë subvencione këtë vit, por, më 6 shtator u hoqën dilemat, pasi Ministria e Bujqësisë hapi thirrjen për aplikime për subvencione. Kjo ministri, për Programin për Pagesa Direkte, për vitin  2021 ka ndarë 21 milionë euro. Me këto mjete, mes tjerash do të ndahen subvencione për grurë, misër, elb, thekër, tërshërë, luledielli, lopë, buallica, dele e dhi qumështore, mbajtësit e bletëve, pulave, për sipërfaqet e mbjella me vreshta e pemë të ndryshme.

Profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, pohon për Radio Kosovën se nëse përdoren drejt mjetet e ndara për subvencione, 21 milionë euro do të mund të ishin një ndihmesë e madhe për bujqit. 

“Kjo pagesë, 21 milionë euro mund të jetë një stimul i mirë për sektorin e bujqësisë, me kusht që, mjetet të përdoren në mënyrë të mirëfilltë dhe të ketë monitorim në terren, që mjetet të mos keqpërdoren. Për sektorin e bujqësisë kërkoj publikisht që të ketë tretmanin meritor në raport me vendet e rajonit. Nëse anashkalohet, atëherë gjendjen do ta kemi vazhdimisht të përkeqësuar”, tha ai.

Risi e programit të pagesave direkte këtë vit është mbulimi i Primit të Sigurimit, në vlerën prej 75 përqind, për 6 kultura bujqësore. Po ashtu, edhe subvencionimi i  grurit 75 euro për një hektar, dhe 0.019 euro për çdo kilogram grurë të dorëzuar në pikat grumbulluese. Subvencionimi në bazë të prodhimit është mënyrë më e mirë, pohon profesor Rusinovci, i cili rekomandon edhe një mënyrë tjetër të subvencionimit.

“Qeveria mund të bëjë një punë që nuk e ka bërë që 22 vite dhe për kriter që e përfshin për masa subvencionuese, nga të njëjtit fermerë të marrë rezerva të drithit në vlerë të subvencionit që i ka dhënë dhe kështu të krijojë edhe rezervat shtetërore. Shteti duhet të mendojë pak më seriozisht për produktet strategjike”, tha ai.

Të gjithë të interesuarit për subvencione, kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim mund ta gjejnë në web faqen e Ministrisë së Bujqësisë. Afati për aplikim përfundon më 28 shtator 2021.


MË SHUME NGA Ekonomi