BE-ja investon në përmirësimin e shëndetit të kafshëve në Kosovë!
Sharr Travel

BE-ja investon në përmirësimin e shëndetit të kafshëve në Kosovë!

Arbenita Marmullaku, Radio Kosova

Bashkimi Evropian ka investuar 1.8 milion në projektin  për Mbështetjen dhe Krijimin e Programit të Mbikëqyrjes dhe Kontrollit të Sëmundjeve të Kafshëve në Kosovë. Fokusi kryesor i këtij projekti është çrrënjosja e sëmundjeve të kafshëve, me qëllim që prodhuesve vendorë t’u mundësohet eksporti i produkteve me origjinë shtazore.

Në një intervistë për Radio Kosovën, drejtori i Shëndetit të Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Sadik Heta, ka thënë se ky është një nga projektet më të mëdha që nga pas lufta, i cili fokusin kryesor e ka shëndetin e kafshëve. Ai tha se pjesë e projektit do të jetë gjurmimi i sëmundjeve infektive, ku parashihet edhe  problematika e qenve endacakë.

 

Radio Kosova: Kur ka filluar implementimi i projektit të BE-së në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për shëndetin e kafshëve dhe çfarë vlere ka?

SADIK HETA: Projekti” Mbështetja për Krijimin e Programit të Mbikëqyrjes dhe Kontrollit të Sëmundjeve të Kafshëve” ka filluar me 20 shtator. Ai do të zgjasë 36 muaj ndërsa vlera e projektit është  rreth 1.8 milion euro. Qëllimi i këtij projekti është  forcimi i mekanizmave për mbikëqyrjen, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve në Kosovë sipas standardeve të BE-së, me qëllim që fermerëve dhe bizneseve t’u mundësohet eksporti i produkteve me origjinë shtazore.

Radio Kosova: Cilat janë pritjet e juaja nga realizimi i  këtij projekti?

SADIK HETA: Ky është një nga projektet më të mëdha të pas luftës, i cili përfshin mbikëqyrjen dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve. Projekti në fjalë synim parësor e ka  shëndetin e kafshëve, krijimin e kushteve dhe mekanizmave për përafrimin e legjislacionit vendor apo nacional me atë të BE-së.  Janë diku 84 detyra që do të realizohen në bashkëpunim me AUV.  Në këtë pjesë do të futet edhe pjesa e laboratorit të ushqimit dhe veterinarisë, si një nga komponentët mbështetës për përcjelljen dhe kontrollin e sëmundjeve infektive të kafshëve në teren. Projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e  AUV dhe të  gjithë sektorët që janë të përfshirë në këtë projekt për të sjellë në Kosovë diçka të re.

Radio Kosova: A pritet të përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve pas përfundimit të këtij projekti?

SADIK HETA: Ne kemi plane vjetore për monitorimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve në teren. Mirëpo, duke u bazuar se kemi disa sëmundje infektive që janë prezentë në vend, siç është bruceloza, antraksi, tuberkulozi, gripi shpezëve, sëmundjet  e peshqve, sëmundja e bletëve,  e disa sëmundje të tjera, atëherë mendoj se rishikimi i  planeve ekzistuese vjetore në Agjenci do të bëhet duke përgatitur programe të veçanta për gjurmimin e sëmundjeve infektive në Kosovë. Në këtë drejtim pritet të bëhet edhe draftimi i programeve për secilën sëmundje infektive që është në Kosovë. Duke u bazuar në këto programe, monitorimi dhe kontrolli i sëmundjeve të kafshëve do të jetë shumë më i lehtë si nga ana e zyrtarëve të AUV po ashtu edhe nga ana e veterinarëve privatë të cilët kanë një kontribut  jashtëzakonisht të madh në detektimin e sëmundjeve infektive të kafshëve.

Radio Kosova: A  pritet që projekti të ndikojë edhe në vetëdijesimin e  fermerëve dhe qytetarëve lidhur me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve?

SADIK HETA: Do të mbajmë punëtori dhe fushata nëpërmjet medieve ku do të shpërndahen  informacione për secilën palë me interes për të parë ndikimin që ka shëndeti apo mirëqenia e kafshëve në prodhimtarinë blegtorale.

Radio Kosova:  Dihet se një problem mjaft i theksuar në Kosovë është ai me qentë endacakë. A parashihet diçka në këtë drejtim në këtë projekt?

SADIK HETA: Pjesë e këtij projekti do të jetë edhe trajtimi i problematikës së qenve, me theks të veçantë qenve me pronarë për arsye se një nga burimet kryesore të qenve endacakë janë qentë me pronarë. Fillimisht do të bëhet një analize mbi prezencën e qenve endacakë në vend, pastaj do të fillohet me trajtimin e problematikes së qenve me pronarë. Pra, pjesë e këtij projekti do të jetë trajtimi i kësaj problematike që për vite me radhë është duke na përcjell. Ne e dimë që përgjegjës për problematikën e qenve endacakë janë komunat, mirëpo ne si agjenci do të ofrojmë mbështetje për komuna, për pronarë të qenve në mënyre që problematika e qenve endacakë të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Këtë vit pra do t’i shikojmë mundësitë tona që të fillojmë me identifikimin e regjistrimin e qenve me pronarë.

 

 

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi