Shqipëri, rritet me 18.8% transporti i mallrave me rrugë detare
Transporti i mallrave në 8-mujorin e këtij viti ka shënuar rritje në raport me një vit më parë kur kufizimet dhe pandemia ishin më evidente.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për për një rritje të volumit të mallrave në porte dhe fluks të shtuar të numrit të pasagjerëve me linja ajrore.
Volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte, në muajin gusht 2021 është 430,4 mijë tonë, duke u rritur 35,3 %, krahasuar me Gusht 2020. Krahasuar me mesataren e muajve Gusht për periudhën 2018-2020, volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është rritur 27,4 %. Në 8-mujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është 3.241,1 mijë tonë, duke u rritur me 18,8 %, krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020.
Sipas INSTAT, në muajin gusht 2021 volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.652 mijë ton-kilometër, duke u ulur 18,5 %, krahasuar me gusht 2020. Krahasuar me mesataren e muajve gusht për periudhën 2018-2020, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është ulur me 39,3 %.
Në 8-mujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 18.289 mijë ton-kilometër, duke u rritur me 12,0 %, krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020./atsh























