ATK-ja tregon numrin e aplikimeve për subvencionim
Shumë punëtorë kanë mbetur pa punë që nga përhapja e pandemisë së Covid-19 në Kosovë. E për t’iu dalë në ndihmë atyre, Qeveria mori vendim ta bëjë një Pako të Ringjalljes Ekonomike.
Personat që do të përfitojnë nga kjo masë do të ndahen në tri kategori,
E për zbatimin e saj është angazhuar Administrata Tatimore e Kosovës.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, për FrontOnline, ka treguar se kush do të përfitoj nga kjo masë dhe sa është shuma që do t’i marrin ata .
“Sa i përket kësaj pako, ATK-ja ka përgjegjësi zbatimin e masës 1.1, 1.2 dhe 1.3 çka nënkupton që në masën 1.1 bëhet fjalë për personat të cilët e kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë. Rrjedhimisht i bie që nuk duhet të jenë të deklaruar për periudhën dhjetor 2019 deri në shkurt 2020 për çështje tatimore pa ndërprerë deri në periudhën prill 2021 qershor 2021 d.m.th kjo kategori në bazë të këtyre kritereve përfiton shtesat për tre muaj nga 100 euro”, tha ajo për Front Online.
Ajo ka shpjeguar se sa do të jenë përfitimet për qytetarët të cilët do të marrin mbështetje financiare e që bëjnë pjesë ne masën 1.2 dhe 1.3.
“Kemi masën 1.2 për mbështetjen e të punësuarve. Kjo është një shtyrje për të gjithë punëtorët të cilët nuk janë të deklaruar, t’iu ndihmoj që të deklarohen d.m.th t’u paguhen kontributet pensionale në të njëjtën kohë dhe tatimi në paga dhe pjesa e tjetër të cilët i obligon në bazë të ligjit. Kategoria që përfitojnë nga kjo masë subvencionimin e kanë për tre muaj nga 50 euro. E, në masën 1.3 bëhet fjalë për punësimin e grave ku kjo kategori do të subvencionet për tre muaj me nga 50 euro”, tha ajo për Front Online.
Sipas saj, për pikën 1.1 (për personat të cilët e kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë) kanë aplikuar 537 punëtorë, për piken 1.2 (për të gjithë punëtorët të cilët nuk janë të deklaruar) kanë aplikuar 919 punëtorë dhe për pikën 1.3 (punësimin e grave ) 1578 aplikime.
“Unë po i referohem numrit të aplikimeve qe janë bërë varësisht masave, për masën 1,1 kemi diku 231 kërkesa me 537 punëtorë, për masën 1.2 kemi 317 kërkesa me 919 punëtor për masën 1.3 kemi 837 kërkesa me 1578 punëtorë”, tha ajo për Front Online.
Në total numri i personave të cilët kanë aplikuar në ATK për subvencionim është 3042 punëtorë.
“Deri më sot sa i përket numrit të kërkesave të punëtorëve të cilët kanë aplikuar për subvencion nga tri masat për Pakon e Ringjalljes i kemi 1213 kërkesa me 3042 punëtorë”, ka thënë ajo për Front Online.
Të gjithë ata të cilët ende nuk kanë aplikuar për subvencionim, kanë afat që të aplikojnë deri me 15 tetor në ora 24:00.























