Mehmeti: Kosova ka plotësuar 2 nga 3 kushtet për Kartonin e Gjelbër
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se industria kosovare e sigurimeve ka treguar një performancë të favorshme, e cila është rezultat i reformave që janë ndërmarrë në këtë sektor.
"Kosova i ka plotësuar 2 nga 3 kushtet kryesore për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër. Këto kushte përfshijnë themelimin e Byrosë Kosovare për Sigurim, aprovimin e Ligjit për Sigurim dhe uljen e numrit të automjeteve të pa siguruara. Duhet ta kemi parasysh se kjo e fundit nuk është e përfunduar pasi që numri i automjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i lartë. Ekzistojnë shifra të ndryshme lidhur me numrin e automjete të pasiguruara, që flasin për rreth 25-30% të automjeteve që qarkullojnë pa policë sigurimi. Unë konsideroj se kjo shifër është e ekzagjeruar pasi që data baza e regjistrimit në kuadër të MPB-së nuk i është nënshtruar një procesi të pastrimit. Megjithatë, numri është tejet i lartë dhe në nivele të papranueshme. Këtë e them duke u bazuar në faktin se rreth 15% të aksidenteve në vend kanë përfshirje direkt të automjeteve të pasiguruara ndërsa si vlerë e dëmeve, rreth 17% e dëmeve paguhen në këto aksidente", tha ai.























