TEC-i i Vlorës, Rama: Kantiere për të siguruar sovranitetin energjetik
Kryeministri Edi Rama duke folur sot në seancën plenare të Kuvendit, për krizën energjetike, tha se, “ne nuk kemi sot një kapacitet të atillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë dhe për këtë po punojmë”.
“Për këtë po i diversifikojmë burimet. Se nuk mund të varemi vetëm nga uji. Se kur ka shumë shi, ne jo vetëm që nuk arrijmë dot të mbledhim rezerva, po siç bënit ju në të shkuarën, dhe për fat të keq duhet ta bëjmë dhe ne, për shkak se nuk bëtë asgjë për të bërë atë që bëmë ne për të ndërtuar Skavicën, jemi të detyruar që kur ka reshje përtej normës, të hapim portat dhe t’i hedhim jo në lumë, po t’i hedhim mbi fushat e prodhimit ato të ardhura që normalisht duhet t’i rentabilizonim dhe t’i kishim për ditë të vështira”, tha Rama duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
“Ne kemi sot 2 parqet në kantier me energji diellore. Po hapim dhe kantierin e energjisë së erës. Jemi në diskutime, jo vetëm për Skavicën, që ka filluar puna, po edhe për atë TEC-in e Vlorës që e latë gërmadhë atje, për ta kthyer në portë të hyrjes së gazit të lëngshëm nga SHBA-të. Dhe të gjitha këto do të bëjnë atë që ne e kemi thënë, që brenda kësaj dekade ne do të jemi eksportues neto të energjisë. Dhe atëherë po, nuk do jemi më të varur se çfarë ndodh lart e poshtë. Por sot jemi të varur”, u shpreh Rama.
Megjithatë, shtoi Rama, “zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, zgjedhja juaj është të talleni me inteligjencën e këtij populli dhe rezultati duket në fund. Zgjedhja ime është ta respektoj dhe them, kjo është situata, kjo është përballja dhe siç nuk e kemi lënë këtë popull vetëm, as për tërmetin, as për pandeminë, s’do e lëmë as tani. Kështu që mos u ngusni t’u thoni do iu rrisë çmimin e energjisë gogoli se do dilni keq, do dilni shumë keq”.
Por, vijoi Rama, “mohimi i krizave dhe aleanca me virusin, aleanca me tërmetin, aleanca me përmbytjet, aleanca dhe me krizën energjetike, nuk iu bën alternativë, se do iu kishte bërë. Dhe po të ishit alternativë do ishit një zgjedhje e mundshme. Nuk zgjidheni dot sepse shqiptarët nuk janë budallenj, siç i trajtoni ju kur dilni dhe flisni këtu. A thua se keni ardhur nga hëna? A thua se nuk keni qeverisur? A thua se nuk keni mbajtur mbi kurriz lloj-lloj barrash dhe lloj-lloj vështirësish, pavarësisht sesi i keni trajtuar dhe si i keni menaxhuar? Flisni ju për reforma strukturore? Për cilat reforma strukturore? Flisni ju për energjinë? Po vetëm për energjinë, ju duhet të bëni moratorium, heshtje, për një gjeneratë, sepse një gjeneratë e futët ne gropë ju me politikën energjetike dhe me gjithë atë ç’organizim të organizuar, ku për vota mbyllnit sytë dhe gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe keni lënë gropën më të madhe, jo në historinë e Shqipërisë, po në historinë e planetit ju, në sektorin elektro-energjetik”.
“E si u bëka një kapërcim epokal sa hap e mbyll sytë, duke ju pasur dhe ju në kurriz që edhe reformën për të ndaluar vjedhjet nuk mbështetët dhe e mbushët miletin me llafe. Të fusin në burg kur nuk paguan. Asnjë njeri nuk është futur në burg pse s’ka paguar energjinë. Mos pagesa e energjisë sjell shkëputjen. Vjedhja të çon në burg patjetër, sepse është mall dhe si të gjithë mallrat nuk është nga perëndia, është nga puna, është nga kostoja, është nga prodhimi i dikujt tjetër dhe do ta paguash patjetër. Dhe sigurisht po s’e pagove do shkosh në burg. Po pse nuk paguan drita. Kush nuk paguante drita i këputej dhe kaq. Të gjitha këto janë të thjeshta, janë shume të thjeshta”, tha Rama./atsh























