Shoqata e Bankave të Kosovës mbajti takim falënderues për Z. Robert Wright
Bordi i Shoqatës së Bankave të Kosovës mbajti sot takimin e Bordit të Drejtorëve me ç‘rast organizoi një drekë falënderuese dhe përcjellëse të Z. Robert Wright me rastin e përfundimit të detyrës së tij si Kryeshef Ekzekutiv i Raiffeisen Bank Kosova.
Z. Wright ishte udhëheqës i Raiffeisen Bank në Kosovë që nga viti 2009. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Bankës Raiffeisen në Kosovë, Z. Wright dha kontributin e tij edhe si kryetar i bordit të drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës për dy mandate.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës Z. Albert Lumezi shprehu se Z. Wright ka qenë gjithnjë i hapur dhe i gatshëm për bashkëpunim duke kontribuar drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit përmes përvojës së tij.
Ndërsa, Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Z. Petrit Balija tha se Z. Wright përveç që ka qenë një anëtar i përkushtuar, ai ka qenë një udhëheqës vizionar që ka vendosur Shoqatën e Bankave të Kosovës në rrugën e saj drejt suksesit. Ai po ashtu ka krijuar disa nga standardet dhe shërbimet kryesore në Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë”.
Z. Lumezi dhe Z. Balija po ashtu uruan Znj. Anita Kovacic e cila do të pasoj drejtorin paraprak për të udhëhequr Raiffeisen Bank Kosova, njëherit do të jetë edhe anëtare e re në bordin e drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës.























