Ambasadorja e SHBA-së thirrje: Prioritet përmirësimit të klimës së biznesit

Ambasadorja e SHBA-së thirrje: Prioritet përmirësimit të klimës së biznesit

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, i bëri thirrje qeverisë që t’i japë përparësi përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e mbledhjes së Dhomës Amerikane të Tregtisë me Asamblenë e Përgjithshme.

Ajo theksoi se vendi ynë ka mundësi që të përmirësohet, duke punuar që Shqipëria të ketë gjykata dhe institucione të pastra nga krimi.

Sipas ambasadores, tre janë prioritetet në vend, demokracia, mbrojtja dhe biznesi.

“Prioritet tona janë mbrojtja, biznesi dhe demokracinë. Të gjithë jemi përqendruar prej kohësh në demokracinë dhe mbrojtjen. Jam e kënaqur që po udhëheq ambasadën në një shtysë për të ngritur ekonominë tonë në një nivel. Shumë mund të përfitohet nga Shqipëria, ekonomi në rritje, qasje në më shumë produkte dhe më shumë mundësi për rininë shqiptare, pikërisht këtu në Shqipëri. Para një viti nënshkruam një memorandum dypalësh për ekonominë. Ne pamë rezultate. Dy javë më parë kemi parë Skavicën, vendin që Shqipëria do të ndërtojë hidrocentralin. Ky projekt shoqërohet nga një në Vlorë, që është një shembull tjetër i fortë dhe nëse ka sukses do të jetë projekti më i madh në Shqipëri i bërë nga një kompani amerikane. Mbetet ende shumë punë për të bërë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që t’i japë përparësi klimës së biznesit. Reforma në drejtësi duhet çuar deri në fund, e konkurrenca e ndershme duhet të jetë parësore që të gjithë investitorët të luajnë me të njëjtat rregulla të drejta dhe transparence. Jam e kënaqur që kryeministri e ka parë këtë si mundësi për të përmirësuar klimën e biznesit. Gjatë 30 viteve të fundit kemi bërë rrugë të gjatë, por kur shohim atë që ka ndodhur them se e ardhmja do të jetë më e ndritur”, u shpreh Kim.

Kjo nuk është hera e parë që Kim bën thirrje për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë, si një nga tre prioritetet kryesore.

Ndërsa Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço deklaroi sot se Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive euro-transantlantike dhe që të përfitojë prej tyre, duhet të luftojë ekonominë e zezë, informale, koston e së cilës, e paguajnë bizneset e ndershme dhe e marrin në konsideratë investitorë të huaj potencialë./tch


MË SHUME NGA Ekonomi