Komisioni Evropian miraton masa lehtësue pas krizës botërore energjetike
Kriza energjetike botërore e cila ka prekur qindra miliona konsumatorë anekënd botës, ka bërë që shtetet të ndërmarrin hapa të shpejtë për të krijuar strategji kombëtare energjetike.
Në kuadër të tyre, qeveritë kanë propozuar një sërë masash lehtësuese, përmes së cilave synohet sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji, ndihma financiare për konsumatorët e amvisërisë dhe bizneseve si dhe garantimi i fondeve që do të shërbenin për t’i dal ballë një krizë të tillë.
Njëjtë veproi edhe Komisioni Evropian, i cili të mërkurën unanimisht vendosi për miratimin e një sërë masash lehtësuese për anëtarët e Bashkimit Evropian, e të cilat ditëve në vijim do tu prezantohen edhe Parlamentit Evropian dhe ministrave të Energjisë. Masat kombëtare afatshkurtra përfshijnë mbështetjen emergjente të të ardhurave për familjet, ndihmën shtetërore për kompanitë dhe uljen e synuar të taksave. Komisioni gjithashtu do të mbështesë investimet në energjinë e ripërtritshme dhe efikasitetin e energjisë; të shqyrtojë masat e mundshme për ruajtjen e energjisë dhe blerjen e rezervave të gazit; dhe do të vlerësojë modelin aktual të tregut të energjisë elektrike.
Ndikimi i krizës energjetike sipas ekspertëve konsiderohet se do të ketë pasoja afatgjate në ekonomitë e vendeve të cilat do të afektohen, duke shtuar se kulmi i kësaj krize do të jetë tek në vitin e ardhshëm.
Edhe Ballkani nuk ka mbetur pa i shpëtuar kësaj krize. Shqipëria tashmë ka shpallur emergjencën e furnizimit me energji elektrike, e cila do të zgjasë deri në prill 2022.
Madje, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi edhe për një rritje të çmimit të energjisë elektrike ndërsa tha se kjo krizë e ka vendosur Shqipërinë para një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti, dhe sa pandemia në aspektin ekonomik e social.























