FMN: Zbutje e çmimeve të energjisë në T1 2022

FMN: Zbutje e çmimeve të energjisë në T1 2022

Çmimet e energjisë, që po rriten gjithnjë e më shumë dhe janë kthyer në një shqetësim për tregjet, pritet të zbuten deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2022, tha Gita Gopinath, kryeekonomistja e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Tani për tani, edhe pse në një afat të shkurtër, (…) gjatë muajve të dimrit, çmimet e energjisë do të jenë të larta, ne presim që ato të zbresin sërish deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm dhe në tremujorin e dytë”, shpjegoi ajo.

Megjithatë, Gopinath pranoi se “rreziku domethënës” është të paturit e një dimri të ashpër, që më pas do të çonte në “ndërprerje të energjisë elektrike shumë më të mëdha, që do të kishin një efekt shumë më të madh në botë”.

“Skenari më i keq do të ishte të kishim një dimër veçanërisht të ashpër në hemisferën veriore, me rritjen e kërkesës për energji dhe, në të njëjtën kohë, ne ende nuk do ta kishim zgjidhur problemin e ndërprerjeve në zinxhirët e prodhimit”, shtoi kryeekonomistja.

Gjithsesi, ajo theksoi se nuk pret një krizë si ajo e viteve 1970, sepse “në përgjithësi, bota varet shumë më pak nga energjia dhe do të duhej një rritje shumë më e madhe e çmimeve të gazit për të çuar në inflacion shumë të lartë dhe rritje të qëndrueshme”./atsh