Mjekët: Ngrohja globale mund të sjellë epidemi të sëmundjes së veshkave
Sharr Travel

Mjekët: Ngrohja globale mund të sjellë epidemi të sëmundjes së veshkave

Disa mjekë kanë paralajmëruar se sëmundja kronike e veshkave, e lidhur me stresin e vapës, mund të bëhet epidemi e konsiderueshme shëndetësore për miliona punëtorë përreth botës përderisa temperatura botërore do të rritet në dekadat e ardhshme.

Urgjentisht nevojitet më shumë punë kërkimore për lidhjet mes nxehtësisë dhe CKDU-së (Chronic Kidney Disease Uncertain – Sëmundja Kronike e Veshkave me Shkaktar të Paqartë) për ta vlerësuar shkallën e mundshme të problemit, thanë mjekët.

Ndryshe nga forma e zakonshme e sëmundjes kronike të veshkave (CKD), që është humbje progresive e funksionit të këtij organi kryesisht te personat e moshuar dhe tek ata që janë të prekur nga probleme të tjera shëndetësore si diabeti e shtypja e lartë e gjakut, epidemia e sëmundjes CKDU tashmë është shfaqur kryesisht në rajone të nxehta rurale të shteteve si El Salvadori dhe Nikaragua, ku një numër jashtëzakonisht i lartë i punëtorëve bujqësorë po vdesin nga dështimi i pakthyeshëm i veshkave.

Sëmundja CKDU ka filluar të regjistrohet edhe te një numër i madh i njerëzve që bëjnë punë të rëndë fizike në temperatura të larta në pjesë të tjera të Amerikës Qendrore, por edhe në Amerikën Veriore, në Amerikën Jugore, në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Indi, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Veshkat janë përgjegjëse për baraspeshën e lëngjeve në trup, që i bën veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave ekstreme. Ka konsensus që po del në pah se sëmundja CKDU duhet të njihet si lëndim i lidhur me stresin e nxehtësisë, ku punëtorët po kanë dëme “të heshtura” në veshka përditë përderisa janë në fusha. Kjo mund të zhvillohet në sëmundje të ashpër të veshkave ose në dështim të plotë të tyre me kalimin e kohës.

Dr. Cecilia Sorensen, drejtoreshë e konsorciumit global për edukimin rreth klimës dhe shëndetit në Universitetin e Kolumbias, thotë se ky sulm i përsëritur i shkallës së ulët ndaj veshkave nuk vjen patjetër me simptoma, prandaj punëtorët mund të mos e dinë fare se po sëmuren me kalimin e kohës derisa gjërat që bëhen aq keq, saqë ata përfundojnë me sëmundje të veshkave në fazën e fundit.


MË SHUME NGA Shëndetësi