Zelanda e Re arrin marrëveshje "historike" të tregtisë së lirë me Britaninë
Sharr Travel

Zelanda e Re arrin marrëveshje "historike" të tregtisë së lirë me Britaninë

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern thotë se marrëveshja siguron qasje të pashembullt për eksportuesit e vendit në tregun e Britanisë së Madhe.

Zelanda e Re dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord në parim për një marrëveshje "historike" të tregtisë së lirë që do të ulë tarifat për një sërë produktesh.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe ministri për Tregtinë dhe Rritjen e Eksportit Damien O'Connor thanë se marrëveshja do t'i japë një rritje prej gati 1 miliard dollarë Prodhimit të Brendshëm Bruto të Zelandës së Re.

Ai tha se Britania e Madhe do të heqë të gjitha tarifat për eksportet e Zelandës së Re, përfshirë mjaltin, verën, kivin, qepët dhe për një shumëllojshmëri të produkteve të qumështit dhe mishit si dhe shumicën e produkteve industriale.

Sipas tekstit, eksportuesit e Zelandës së Re do të kursejnë afërsisht 37.8 milionë dollarë në vit vetëm në saje të heqjes së tarifave.

"Kryeministri Boris Johnson dhe unë biseduam dje në mbrëmje për të shënuar këtë moment historik dhe rëndësinë e tij në krijimin e një marrëdhënieje më të fortë dhe më dinamike në të ardhmen midis dy miqve dhe partnerëve të ngushtë", tha Ardern.

"Kjo marrëveshje i shërben ekonomisë dhe eksportuesve të Zelandës së Re si dhe ne sërish rilidhemi dhe rimëkëmbemi nga COVID-19, duke shikuar përpara në të ardhmen", theksoi Ardern.

Ajo tha se "kjo është një nga marrëveshjet tona më të mira ndonjëherë dhe e siguruar në një kohë vendimtare në rimëkëmbjen tonë nga COVID".

Kryeministri britanik, Boris Johnson e përshkroi marrëveshjen si "qershia mbi tortë të një partneriteti të gjatë dhe të qëndrueshëm midis Britanisë së Madhe dhe Zelandës së Re".

"Kjo është e mirë për të dy ekonomitë tona, duke shtuar vendet e punës dhe rritjen ndërsa ne rimëkëmbemi nga pandemia. Ne tashmë ndajmë lidhje të thella të historisë, kulturës dhe vlerave dhe mezi pres kapitullin tjetër në miqësinë tonë", tha ai.

Ministri i Tregtisë i Zelandës së Re, O'Connor tha se duke hequr tarifat dhe barrierat e tjera "eksportuesit dhe bizneset tona tani mund të hyjnë në një epokë të re të qasjes në treg që nuk e kishin pasur kurrë më parë".

Drafti i marrëveshjes është i fundit që ndërmjetësohet nga Britania e Madhe pas largimit të saj nga Bashkimi Evropian, pasi Australia dhe Britania e Madhe njoftuan një marrëveshje të tregtisë së lirë në qershor.

Sipas një deklarate të qeverisë britanike, marrëveshja tregtare "ndihmon në hapjen e rrugës për Britaninë e Madhe për t'u bashkuar me Partneritetin Trans-Paqësor, një zonë e tregtisë së lirë të 11 vendeve të Paqësorit me një PBB prej 8.4 trilioën funta në 2020".

Tregtia midis Britanisë së Madhe dhe Zelandës së Re ishte me vlerë 2.3 miliardë funta (3.2 miliardë dollarë) në vitin 2020.


MË SHUME NGA Ekonomi