BSH, bashkëpunim me Bankën Botërore për një strategji të Edukimit Financiar
Sharr Travel

BSH, bashkëpunim me Bankën Botërore për një strategji të Edukimit Financiar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti të hënën në një takim zyrtar Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Guvernatori prezantoi më në detaj ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme, si dhe zhvillimet më të fundit në sistemet e pagesave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

Lidhur me zhvillimet në sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, Guvernatori diskutoi me misionin mbi zhvillimet më të fundit në Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023), si dhe përpjekjet për hartimin e një “Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar”.

Gjithashtu Guvernatori prezantoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në lidhje me hartimin e akteve ligjore dhe rregullative, të cilat synojnë të transpozojnë Direktivën e Bashkimit Evropian “Për Llogarinë e Pagesës”, me synim kryesor krijimin e “llogarisë bazike” që do të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë.

Më tej, Guvernatori Sejko vlerësoi në veçanti kontributin e BB-së në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe konkretisht në operacionalizimin e kuadrit rregullator të përafruar me atë të Bashkimit Evropian. Kështu, gjatë periudhës 2017-2021 është kryer progres në drejtim të kuadrit nënligjor të lidhur me ndërhyrjen e jashtëzakonshme, nëpërmjet hartimit të 15 akteve rregullative në përputhje me Ligjin 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

Guvernatori Sejko falënderoi Bankën Botërore për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, iniciativave të përbashkëta të ndërmarra në fushat e reformimeve programore dhe politike, si dhe për kontributin e dhënë e asistencën teknike të vazhdueshme që Banka Botërore i ka ofruar Bankës së Shqipërisë kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, edukimit financiar dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BB-së shfaqën interes lidhur me zhvillimet makroekonomike gjatë vitit 2021 në vendin tonë. Më konkretisht, diskutimet u ndalën në pritjet për rritjen ekonomike, inflacionin, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Përfaqësuesit e BB-së u shfaqën mjaft optimistë për bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë i cili do të fillojë nga viti 2021 në fushën e kërkimeve, nëpërmjet të cilit, Banka e Shqipërisë synon të hartojë një Strategji Kombëtare në lidhje me Edukimin Financiar.


MË SHUME NGA Ekonomi