Arabia Saudite i jep mbështetje financiare dhe të naftës Pakistanit
Rijadi do të depozitojë menjëherë 3 miliardë dollarë në Bankën Shtetërore të Pakistanit (SBP) dhe do të sigurojë furnizime nafte me vlerë 1.2 miliardë dollarë për pagesat e shtyra.
Arabia Saudite ka ringjallur mbështetjen e saj financiare për Pakistanin për të mbështetur ekonominë e lëkundur të këtij vendi të Azisë Jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rijadi do të depozitojë menjëherë 3 miliardë dollarë në Bankën Shtetërore të Pakistanit (SBP) dhe do të sigurojë furnizime nafte me vlerë 1.2 miliardë dollarë për pagesat e shtyra, konfirmuan zyrtarët pakistanezë të martën mbrëma.
“Fondi Saudit i Zhvillimit ka shpallur bujarisht për Pakistanin një lehtësi pagesash të shtyra për naftën prej 1.2 miliardë dollarësh në vit dhe një depozitë prej 3 miliardë dollarësh në SBP”, tha ministri pakistanez i Energjisë, Hammad Azhar në Twitter.
"Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e presioneve në llogaritë tona tregtare dhe si rezultat i rritjes së çmimeve globale të mallrave", tha ai.
Zhvillimi erdhi gjatë vizitës tre-ditore të kryeministrit pakistanez Imran Khan në Rijad këtë javë, i cili përshëndeti Arabinë Saudite për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Islamabadit.
“Dua të falënderoj Princin Mohammad bin Salman për mbështetjen e Pakistanit me 3 miliardë dollarë si depozitë në bankën qendrore dhe financimin e produkteve të rafinuara të naftës me 1.2 miliardë dollarë”, tha ai në Twitter.
"Mbretëria e Arabisë Saudite ka qenë gjithmonë pranë Pakistanit në kohët tona të vështira, përfshirë tani kur bota përballet me rritjen e çmimeve të mallrave", tha Khan.
Në vitin 2018, Rijadi i dha 3 miliardë dollarë dhe naftë prej 3 miliardë dollarësh Pakistanit për të ndihmuar në ruajtjen e rezervave të tij të varfëruara të këmbimit valutor.
Megjithatë, Islamabadit iu desh të kthente 2 miliardë dollarë nga 3 miliardë dollarë pasi marrëdhëniet midis dy aleatëve u përkeqësuan, kryesisht për çështjen e Samitit në Kuala Lumpur 2019.
Samiti, i mbështetur nga shtete, përfshirë Malajzinë dhe Turqinë, u kundërshtua nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat e panë atë si një kërcënim për kontrollin e tyre në botën muslimane.























