"Gebruder Weiss" blen kompaninë turke të transportit
BKT
Ekonomi

"Gebruder Weiss" blen kompaninë turke të transportit

Kompania ndërkombëtare që ofron shërbime të transportit dhe logjistikës, "Gebruder Weiss", do të blejë kompaninë "3S Transport and Logistics" me seli në Stamboll, gjë që do të hyjë në fuqi më 1 janar.

“Me këtë hap, Gebruder Weiss Turkey dyfishon volumin e saj të transportit”, thuhet në deklaratën e kompanisë austriake, duke shtuar se me këtë akt do të pozicionohet si një “lojtar kryesor për transportet me Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën”.

Kompania turke e transportit "3S Transport dhe Logistics" është e specializuar në transportin e pjesshëm të ngarkesave midis Turqisë dhe partnerit të saj kryesor tregtar, Gjermanisë.

"Gebruder Weiss" operon në Turqi që nga viti 2012, kurse aktivitetet e saj kryesore përfshijnë gjithashtu transportin e pjesshëm të ngarkesave, si dhe shërbimet ajrore dhe detare të mallrave.

"Stambolli është në zemër të një boshti të degëve të "Gebruder Weiss" që shtrihen në të gjithë Evropën Qendrore dhe Juglindore deri në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, duke ofruar lidhje me korridoret e Rrugës së re të Mëndafshit", thuhet gjithashtu në deklaratë.


MË SHUME NGA Ekonomi