25 pozita të reja për punë praktike përmes Programit “Gratë në Energji”
Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) po vazhdon të hapë dyert për vajzat dhe gratë, përmes programit ‘Gratë në Energji’. 25 pozita të reja tani janë të hapura për vajzat dhe gratë që janë të interesuara t’i bashkohen këtij sektori edhe nëse studimet e tyre paraprake nuk janë të po të njëjtës fushë.
Përveç kompanive dhe organizatave lidere në sektorin e energjisë që ishin bashkëpunëtore të MFK-së që nga fillimi i programit, kësaj vale të re të mundësive për punë praktike i janë bashkuar kompani të tjera nga komuna të ndryshme të Kosovës, përfshirë Istogun, Suharekën dhe Vushtrrinë ndër të tjera, andaj inkurajohen vajza dhe gra nga e tërë Kosova të aplikojnë. Disa nga pozitat e hapura përfshijnë: Zyrtare për Eficiencë të Energjisë, Hulumtuese, Asistente e Rrjeteve Sociale, Inxhiniere e Elektroteknikës, Asistente e projektit dhe pozita të tjera për të cilat mund ta vizitoni uebfaqen Women in Energy Internship Program, dhe të mësoni më shumë edhe për kualifikimet e kërkuara.
Përmes programit ‘Gratë në Energji’ MFK përpiqet të ngrisë vetëdijesimin e grave mbi mundësitë që sektori i energjisë ofron, si dhe njëkohësisht të përgatisë ato për tregun e punës, duke iu ofruar bursa studimore, punë praktike dhe trajnime. Të gjitha këto, do të rezultojnë me rritjen e numrit të grave të përgatitura profesionalisht për punë të ndërlidhura me energji, si dhe me zvogëlimin e hendekut gjinor në këtë sektor në Kosovë.
Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) është fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2017 për të implementuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation-MCC), me vlerë 49 milion dollarë. Programi i Pragut i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësitë reale dhe të perceptuara në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën.























