Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin në turizëm
Në këto dy dekada turizmi në Shqipëri është zhvilluar falë vizitave të ndryshme të shqiptarëve nga Kosova dhe diasporës. Por tani ka ardhur koha që turizmi të zhvillohet në dy anët e kufirit, Kosovë e Shqipëri. Shteti amë Shqipëria ka detin, kurse Kosova ka malet dhe mund të zhvillojë turizmin malor. Për të pasur zhvillim më të mirëfilltë turistik mes dy shteteve, duhet më shumë koordinim institucional.
Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), njëherit kryetar i Shoqatës së Transportit rrugor të ushtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për njëra tjetrën sa i përket zhvillimit të turizmit .
“Shqipëria ka detin dhe për këtë në vitet e fundit ka pasur hov të zhvillimit dhe rritjes së kapaciteteve hoteliere, po ashtu ka rritje të cilësisë në të gjitha sektorët. Ne si Kosovë kemi nevojë të kemi vizitor nga Shqipëria, kjo do të ishte mirë të bëhet edhe në formë institucionale, pra p.sh nxënësit nga Shqipëria të mund të vizitojnë Kosovën dhe për këtë do të kishte ura të bashkëpunimit. Zhvillimi i turizmit do të thotë, të kemi edhe zhvillim ekonomik në përgjithësi, shtim të kapaciteteve në Kosovë, rritje të punësimit dhe shkëmbim të përvojave”, tha Kurtishaj gjatë një vizite në Shqipëri, së bashku me përfaqësues të Agjencive turistike nga Kosova, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.

Kurtishaj i cili është edhe pronari i “Sharr Travel”,vlerësoi se deri më tani nuk ka munguar mbështetja dhe iniciativat për të pasur bashkëpunim mes dy vendeve.
Sipas tij vetëm të bashkuar arritëm që të mbijetojmë si biznese në Kosovë e Shqipëri. “Tani në Shqipëri nuk po mungojnë investimet në infrastrukturën rrugore. Shqipëria këtë vit kas pasur oferta të mira dhe ka një përqafim për këto nga kosovarët. Këtë vit mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora kanë vizituar Shqipërinë dhe kjo është shumë domethënëse për Shqipërinë, por edhe turizmin”, theksoi ai. Sipas Kurtishajt investitorët qoftë nga Kosova apo jashtë Kosova të investojnë në rritjen e kapaciteteve akomoduese.
Kurse Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se bashkëpunimi reciprok mes dy shteteve duhet të jetë më efektiv në të gjitha fushat, e sidomos në zhvillimin e turizmin mes dy vendeve.
AI vlerësoi se Shqipëria gjithë ka pritur vëllezërit kosovarë . “Destinacionet shqiptare kanë qene edhe këtë vit të preferuarat e turistëve nga Kosova, fluksi ishte në rritje gjatë kësaj vere dhe besoj se kjo është arritur edhe falë koordinimit të akterëve”, tha Minxhozi.
Minxhozi ka përmendur se tani në dy vendet nuk mungojnë vizitat jo vetëm në destinacionet bregdetare, por edhe qytetet e tjera. “Tani në hartën turistike, janë futur edhe Pogradeci, Korça,, etj”, theksoi ai.
Autor: RTKlive























