Gërxhaliu: Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë vizion të përbashkët ekonomik
Problemet në Ballkanin Perëndimor kanë nxjerrë në pah nevojën e themelimit të Odës Ekonomike mes dy vendeve Kosovë-Shqipëri. Deri më tani ka pasur tentativa dhe iniciativa të ndryshme, por në aspektin kohor nuk kanë treguar se kanë qëndrueshmëri në aspektin afatgjatë.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka rekomanduar që të ketë lëvizje pozitive në krijimin e një ode ekonomike të përkrahur nga dy qeveritë. I ftuar Skype nga Kosova në ‘Ekonomi Plus’, Gërxhaliu tha se paralajmërimet për mbajtjen e mbledhjes së qeverisë mes dy vendeve, Kosovë-Shqipëri, do të duhej të pasonin edhe me vendime që do të ishin në shërbim të bizneseve mes dy vendeve.
“Ne mes njeri-tjetrit duhet të depolitizohemi në biznes. Nuk duhet të ketë konkurrencë, por bashkëpunim! Sipas meje ODA ekonomike duhet të jetë urgjente. Është koha që problemet të sheshohen edhe mes dy liderëve tanë të ketë marrëveshje për mbarëvajtjen e lirisë tregtare Kosovë-Shqipëri. Kemi nevojë për dialog, ku bashkimi ekonomik të na fuqizojë!“























