OAK e UBT nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Me qëllim të ofrimit dhe këmbimit të këshillave e përvojave profesionale në fushat me interes të përbashkët, zgjerim të bashkëpunimit në fusha tjera, Oda e Afarizmit të Kosovës nënshkroi sot memorandum bashkëpunimi me Kolegjin UBT.
Memorandumi i nënshkruar parasheh shkëmbimin e përvojave mbi problemet e identifikuara gjatë punës dhe aktiviteteve të përbashkëta, si dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit reciprok për promovim dhe përkrahje në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik-social.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi me këtë rast theksoi se OAK është e fokusuar në shërbimet e bizneseve, identifikimin e problemeve të bizneseve të cilat janë të shumta, deri tek alternativat e zgjidhjes së tyre.
Ai shtoi që OAK është duke lobuar në vazhdimësi që të bëhet ndërlidhja e kuadrove të kualifikuar me nevojat e tregut të punës dhe rëndësinë e përfshirjes së sistemit të arsimit dual në shkollat profesionale.
Ndërsa rektori Edmond Hajrizi përgëzoi OAK-un për angazhimin e saj dhe vlerësoi këtë bashkëpunim me qëllim të krijimit të partneritetit në mes bizneseve, studentëve dhe teknologjisë.
Sipas Hazirit, bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve arsimore është më se i nevojshëm për ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës, thuhet në komunikatë.























