Banka e Anglisë duhet të rrisë normat e interesit
BKT
Ekonomi

Banka e Anglisë duhet të rrisë normat e interesit

Britania është tejet e ekspozuar ndaj forcave negative që dëmtojnë ekonominë botërore, shkruan The Economist

Ajo i merr dy të pestat e energjisë nga gazi natyror, i cili për momentin është në mungesë. Flukset tregtare vlejnë më shumë se gjysma e PBB-së së saj, duke i bërë veçanërisht të dhimbshme pengesat dhe ngërçet në zinxhirët e furnizimit. Brexit e ka përkeqësuar mungesën e fuqisë punëtore dhe ka penguar edhe më tepër tregtinë. Vendi po përjeton edhe një shkallë të lartë të infeksioneve Covid-19, duke paraqitur një kërcënim për besimin e konsumatorëve, megjithëse më shumë se 90% e popullsisë ka antitrupa kundër sëmundjes.

A mund t’u shtohet këtyre problemeve edhe një gabim nga ana e bankës qendrore? Banka e Anglisë i ka sinjalizuar tregjet që të presin një rritje të normave të interesit më shpejt se në vendet e tjera të pasura. Në mes të shtatorit, investitorët parashikuan se normat e interesit do të fillonin të rriteshin në dhjetor. Komentet e kësaj jave nga guvernatori i bankës Andrew Bailey, i shtynë tregtarët të besonin se kishte një shans prej rreth 80% që të rriteshin normat e interesit më 4 nëntor. Guvernatori ka premtuar vetëm se do të tregohet vigjilent. E megjithatë, banka nuk duket se po shfaq shenja të tilla.

Kjo është shqetësuese. Inflacioni është rritur në mbi 3% dhe ndoshta do të arrijë në nivelin 5% deri në pranverë. Por shumë nga forcat që e nxisin atë, si rritja e çmimit të energjisë, normalisht duhet të jenë të përkohshme. Qasja normale është që të mos merret parasysh inflacioni kur ai shkaktohet nga ndërprerjet e furnizimit, por të ndërmerren veprime kur inflacioni shkaktohet nga një ekonomi e “mbinxehur”. Banka e bëri këtë në vitin 2011, kur çmimet e mallrave u rritën dhe inflacioni arriti në 5.2%, dhe e bëri përsëri pasi referendumi i Brexit çoi në rënien e paundit në vitin 2016, duke i bërë importet shumë më të shtrenjta. Në të dyja rastet, inflacioni i lartë filloi të binte.

Personat që shqetësohen se tregu i punës është shumë “i vrullshëm” apo se oferta mund të dëmtohet përgjithmonë, duhet të ngushëllohen nga fakti se qeveria tashmë po i ndalon disa stimuj ekonomikë. Skema e ndihmës për të papunët, e cila paguante përkohësisht punonjësit e larguar nga puna, skadoi në fund të shtatorit. Një stimul i përkohshëm me vlerë vjetore prej 6 miliardë paund (0.3% e PBB-së) ka skaduar pothuajse në të njëjtën kohë. Qeveria ka njoftuar rritjen e taksave me një vlerë vjetore prej 12 miliardë paund, që do të hyjë në fuqi nga prilli. Politika më e shtrënguar fiskale u jep kohë politikanëve për të vëzhguar si do të reagojë ekonomia. Takimi që do të mbajë banka në nëntor, do të ishte një kohë e keqe për t’u hedhur në veprim, sepse nuk do të jenë ende të disponueshme të dhënat mbi reagimin e tregut të punës ndaj përfundimit të programeve të ndihmës ekonomike.

Banka është e shqetësuar nga rreziku i rritjes së pritshmërive për inflacionin, rritjes së vazhdueshme të çmimeve, ndërkohë që punëtorët po kërkojnë paga më të larta dhe kostot e firmave po rriten. Ky është një shqetësim i arsyeshëm. Disa tregues matës të pritshmërive të inflacionit janë rritur dhe po ashtu, edhe pagat. Britania, ndryshe nga Amerika dhe Eurozona, përpara pandemisë nuk kishte inflacion të vazhdueshëm nën objektivin bankar, që do të thotë se publiku mund të jetë më i mësuar me rritjen e çmimeve.

Banka e Anglisë (me pseudonimin Zonja e Vjetër) duhet të rrisë normat e interesit përpara bankave të tjera qendrore, si Rezerva Federale, në vitin 2022. Por shtrëngimi i politikës monetare për të ruajtur besueshmërinë afatgjatë, është më tipik për tregjet në zhvillim sesa për vendet e pasura si Britania. Fakti që kjo mund të jetë e nevojshme në Britani, është shenjë e brishtësisë së vendit.

Çfarëdo politike monetare që të ndiqet, përcaktuesit e normave të interesit duhet t’i komunikojnë qëllimet e tyre më qartë. Nuk duhet ndjekur një qasje, e cila do të krijonte një problem besueshmërie.


MË SHUME NGA Ekonomi