Bullgari, plan për rimëkëmbjen
Plani i Rimëkëmbjes dhe i Qëndrueshmërisë në Bullgari është një program për projekte dhe reforma afatgjata investimi, që do ta bëjë ekonominë bullgare më të fortë dhe më konkurruese, do ta zhvillojë atë dhe do të rrisë mirëqenien e qytetarëve, duke iu përgjigjur sfidave të shekullit XXI.
Kështu u shpreh zëvendëskryeministri për Menaxhimin e Fondeve Europiane, Atanas Pekanov, pas takimit të Këshillit të Ministrave.
Plani, i cili përfshin 59 projekte investimi dhe 46 reforma, është miratuar dhe do të dërgohet zyrtarisht në Komisionin Europian. Sipas zëvendëskryeministrit Pekanov, ky mekanizëm është një instrument i ri unik financiar brenda përgjigjes europiane ndaj pandemisë dhe krizës ekonomike, që parashikon derdhjen e një shume prej 12.9 miliardë BGN në ekonominë bullgare në vitet e ardhshme.
Zëvendëskryeministri falënderoi institucionet për përpjekjen e jashtëzakonshme për të koordinuar të gjitha strukturat shtetërore dhe për punën e palodhur në arritjen e një plani të tillë, i cili përcakton qartë përparësitë për zhvillimin e vendit në 6 vitet e ardhshme.
“Falënderoj pjesëtarët e ekipit që punuan me orë të tëra deri në konfirmimin e projektit dhe përputhjen e tij me standardet europiane”.























