Garanci sovrane 1 miliard lekë për manifakturën dhe sipërmarrjen
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se buxheti i vitit 2022 alokon 3.3 % të PBB, për mbështetjen e biznesit, që do të garantojë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Në fjalën e saj në Kuvend, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2022, Ibrahimaj theksoi se, “mbështetja dhe nxitja e sipërmarrjes do të realizohet nëpërmjet zbatimit të disa skemave: mbështetje për ndërmarrjet prodhuese për të nxjerrë në treg produktin “Made in Albania”; disbursimin e një Garancie Sovrane me vlerë 1 miliard lekë për Manifakturën dhe Sipërmarrjen; hartimin e Strategjisë së Eksporteve që synon ndërkombëtarizimin e produkteve tona në tregun rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe nisjen e zbatimit të fazës së dytë të projektit Eu4innovation, financuar nga Bashkimi Europian, në një shumë prej 10 milionë euro, nga të cilat rreth 4 milionë euro janë grante.
Ibrahimaj vuri në dukje se, fokus i veçantë do të adresohet edhe në zhvillimin e zinxhirit të vlerës për bimët medicinale, frutat dhe perimet.
“Me një fond prej 1.8 milionë euro të akorduar nga qeveria zvicerane do të mbështesim rritjen e produktivitetit nga kultivuesit, grumbulluesit e deri tek eksportuesit e këtij sektori, që është me potenciale të mëdha për ekonominë e vendit dhe atë atë rurale”, tha Ibrahimaj.
Gjithashtu vijoi ministrja, në vëmendje do të jenë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Do të mbështetim SME dhe startup-et me një grant prej 250 milionë lekë për t’i ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë. Do të përqendrohemi për trajnimin, këshillimin dhe rritjen e SME, me fokus SME në turizëm dhe agrobiznes për të kapërcyer pasojat e pandemisë, nëpërmjet projektit të financuar nga qeveria gjermane me 4.2 milionë euro”, u shpreh Ibrahimaj.
Ndërsa theksoi se, me ndihmën e Bankës Botërore, do t’i ofohet SME-ve, webinare të targetuara për tregtinë elektronike dhe digjitalizimin, si dhe do të vazhdojë projekti me Bankën Botërore, në sajë të të cilit do të trajnohen rreth 400 gra me aftësi në digjitalizim.
“Në buxhetin 2022 një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe shpenzimeve për infrastrukturën e IT, për administratën publike si dhe për të rinjtë e të rejat që do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë dije dhe aftësi për të konkurruar denjësisht në të ardhmen në tregjet emergjente të teknologjisë së informacionit. Reforma e digjitalizimit rrit cilësinë e shërbimeve ndaj biznesit dhe qytetarit, si dhe ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Investimet në digjitalizim përfshijnë ministritë përkatëse në sektorët e rendit, mbrojtjes, shëndetësisë, financave e ekonomisë dhe arsimin”, deklaroi gjatë fjalës së saj ministrja.
Ibrahimaj tha se, “me një fond 1.9 miliardë lekë financojmë në arsimin parauniversitar laboratorët shkencorë dhe klasat e teknologjisë së informacionit”, teksa theksoi se, “me investimet në projektet për trajnimin e të rinjve në teknologjinë e informacionit, do t’i përshtatin ata, më mirë me kërkesat dhe ofertat në tregun e punës dhe krijimin e vendeve cilësore të punës”./atsh























