“Nuk e meritojmë këtë”: Inflacioni godet rëndë njerëzit në Turqi
BKT
Ekonomi

“Nuk e meritojmë këtë”: Inflacioni godet rëndë njerëzit në Turqi

Kadriye Dogru, një pronare e një tende në treg, këto ditë po e ha drekën me simite bajate sipër të mbuluara me susam.

E veja, që është nënë e dy fëmijëve, thotë se mbetet pa drekë që të mund t’i shtrojë ushqim në tavolinë familjes së saj, më vonë atë ditë.

Paratë që 59-vjeçarja fiton duke shitur pantallona dhe rroba të tjera në tregun “Ortakcilar” në Stamboll, nuk po i mjaftojnë më dhe po ka vështirësi të blejë ushqim, e lëre më gjëra të tjera.

“Kurrë nuk kam përjetuar një jetë kaq të mjerueshme. Flej, zgjohem dhe çmimet janë ngritur. E bleva një kanaçe pesëlitërshe me vaj gatimi, ishte 40 lira. U ktheva, ishte 80 lira. Nuk e meritojmë këtë si shtet”, thotë ajo.

Shumë njerëz në Turqi po ballafaqohen me vështirësi pasi çmimet e ushqimit dhe mallrave të tjera janë ngritur.

Derisa çmimet e larta për konsumatorë po i prekin shtetet në gjithë botën duke dalë nga pandemia e koronavirusit, ekonomistët thonë se inflacioni i madh në Turqi është përkeqësuar nga keqmenaxhimi i ekonomisë, shqetësimet për rezervat e shtetit dhe shtysa e presidentit Rexhep Taip Erdogan për t’i zvogëluar normat e interesit.

Ai pretendon se kostoja më e ulët për huazim do të nxisë rritje ekonomike, edhe pse ekonomistët thonë se e kundërta e kësaj është e vetmja mënyrë për t’i ulur çmimet që janë ngritur shumë.

Monedha turke, lira, ka prekur rekorde të vlerës së ulët në krahasim me dollarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi Banka Qendrore e Turqisë ka zvogëluar normat e interesit duke nxitur shqetësime për pavarësinë e bankës.

Të zënë në mes të kësaj janë turqit e zakonshëm që po mundohen t’ia dalin.

“Gjithçka është shumë e shtrenjtë, nuk mund të blej asgjë”, tha Suheyla Poyraz, derisa po shikonte tendat me ushqim në pazarin “Ortakcilar”.

Amvisja 57-vjeçare kishte votuar për partinë e Erdoganit dhe i ka bërë thirrje qeverisë që ta ndalë inflacionin.

“Nëse ju jeni qeveria dhe ne po votojmë për ju që t’i bëni gjërat në rregull, pse nuk po intervenoni? Pse nuk po i ndalni çmimet që po ngriten?”, tha Poyraz.

Inflacioni i lartë është duke e lënduar popullaritetin e Erdoganit, vitet e para në pushtet të të cilit u shënuan me një ekonomi të fortë.

Anketat e opinionit thonë se një aleancë e partive opozitare që kanë formuar një bllok kundër partisë në fuqi të Erdoganit dhe aleatëve të tij nacionalistë, po e ngushtojnë hendekun.

Qeveria e Turqisë thotë se inflacioni u ngrit afër 20 për qind në tetor krahasuar me një vit më parë, por Grupi i Pavarur i Studimit të Inflacionit që përbëhet nga akademikët dhe ish-zyrtarë shtetërorë, e ka vënë atë afër 50 për qind./REL


MË SHUME NGA Ekonomi