​Përvjetori i lindjes së rilindasit Jeronim de Rada
Sharr Travel

​Përvjetori i lindjes së rilindasit Jeronim de Rada

Më 19 nëntor 1814 në Makia të Kalabrisë u lind rilindasi Jeronim de Rada.

Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Me 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Në 1848 nxori gazetën e parë shqiptare "L'Albanese d'Italia", në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1818 e mbylli gazetën dhe u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve '60 të shek. XIX.

Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.

Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat Lashtësia e kombit shqiptar ("Antichità della nazione albanase", 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe ("Rapsodie d'un poema albanese", 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë si dhe ndoqi me interes ngjarjet në Shqipëri.

Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare dha me revistën “Flamuri Arbrit" që e botoi në vitet 1883-1885.