KEDS dhe AKK diskutuan rreth krizës energjetike në vend dhe investimeve
BKT
Ekonomi

KEDS dhe AKK diskutuan rreth krizës energjetike në vend dhe investimeve

Kryeshefi i KEDS, Alpin Dogan priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, me të cilin diskutuan rreth krizës energjetike në vend dhe planeve të KEDS për të investuar në rrjetin energjetik të komunave.

Në këtë takim, u tha se situata aktuale energjetike është mjaft e rënduar pasi që çmimet e importit të energjisë elektrike janë pesëfishuar derisa konsumi është rritur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar dhe se situata pritet të përkeqësohet me rënien e temperaturave. Kriza energjetike ka afektuar edhe planin dinamik të investimeve, ku në disa lokalitete, ato janë shtyer për vitin e ardhshëm.

Tutje, në takim u diskutua edhe për planin afatgjatë të investimeve të KEDS, ku u theksua nevoja e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës. 

Në përfundim, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Sazan Ibrahimi shprehi gatishmërinë e bashkëpunimit në mënyrë që kjo krizë të tejkalohet sa më lehtë dhe të vazhdohet tutje me investimet e KEDS në rrjetin energjetik.


MË SHUME NGA Ekonomi