Kurti takohet me presidentin e Forumit Ekonomik të Vjenës, Peter Umundum
Në kuadër të vizitës dy ditore në Austri, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me Peter Umundum, drejtor i Parcelave dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, njëherësh president i Forumit Ekonomik të Vjenës.
Sektori postar në Austri përbën model të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve në hap me zhvillimin teknologjik dhe performacës së lartë në besueshmëri.
Pasi dha një prezantim mbi funksionimin dhe organizimin e brendshëm të Postës së Austrisë, Umundum shprehu interesimin e tij për bashkëpunim me Kosovën në këtë fushë, duke ofruar përvojat dhe njohuritë e Postës së Austrisë.
U bisedua për rritjen që ka përjetuar sektori postar gjatë pandemisë, në veçanti shërbimet elektronike dhe përfitimet nga kjo përvojë në avancimin e mëtutjeshëm të shërbimeve postare.
Kurti tha se zhvillimi i këtij sektori në Kosovë është komponent shumë i rëndësishëm i infrastrukturës socio-ekonomike të vendit, dhe si i tillë e ka vëmendjen e plotë të qeverisë së Kosovës.
“Posta e Kosovës ka nevojë për modernizim të shërbimeve aktuale, por edhe prezantim të shërbimeve të reja. Në këtë drejtim, Posta e Austrisë mund të shërbejë si model”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në takim, gjithashtu u diskutua për mundësinë e themelimit të një qendre postare të Postës së Austrisë për Evropën Qendrore në Republikën e Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.























