Shitjet online në të Premten e Zezë
Sharr Travel

Shitjet online në të Premten e Zezë

Pavarësisht pengesave të furnizimit dhe çmimeve të konsumit në SHBA që kanë arritur nivelin më të lartë në 31 vjet, këtë sezon pritet të ketë më shumë blerje se kurrë, veçanërisht nëpërmjet internetit.

Shitjet online në SHBA pritet të arrijnë nivele të larta rekord në të Premten e Zezë (Black Friday) dhe të Hënën Kibernetike (Cyber Monday) të këtij viti, pavarësisht inflacionit të lartë.

E Premtja e Zezë, një ditë pas Ditës së Falënderimeve, që shënon fillimin e sezonit të blerjeve të Krishtlindjeve, është ditë kur mijëra dyqane në gjithë SHBA-në ofrojnë çmime të ulëta çdo vit.

Megjithatë, ky sezon është i ndryshëm pasi bota është zhytur në kufizimet e zinxhirit të furnizimit dhe inflacion të lartë rekord.

Pavarësisht pengesave të furnizimit dhe çmimeve të konsumit në SHBA që kanë arritur nivelin më të lartë në 31 vjet, këtë sezon pritet të ketë më shumë blerje se kurrë, veçanërisht nëpërmjet internetit.

Konsumatorët amerikanë vlerësohet të shpenzojnë midis 5,1 deri në 5,9 miliardë dollarë në internet vetëm në Ditën e Falënderimeve, sipas Adobe Digital Insights (ADI), një agjenci kërkimore e tregut digjital.

Të Premten e Zezë, shitjet në internet parashikohen të arrijnë një rekord prej 9,5 miliardë dollarësh.

E Hëna Kibernetike, e cila filloi në vitin 2005 për të inkurajuar konsumatorët për të blerë në internet, parashikohet të grumbullojë 11,3 miliardë dollarë në një ditë të vetme, treguan të dhënat nga ADI.

Vlera e përgjithshme e blerjeve për Ditën e Falënderimeve, nga e enjtja deri të premten, parashikohet të rritet me 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

- Mungesa për shkak të problemeve të furnizimit

Videolojërat dhe konzolat, lodrat dhe librat janë mallrat kryesore që kërkojnë konsumatorët, por ato tashmë kanë pasur mungesë furnizimi.

Pothuajse gjysma e konsumatorëve amerikanë janë përballur me probleme të zinxhirit të furnizimit, sipas Morning Consult.

Firma e inteligjencës së të dhënave zbuloi gjithashtu se 74 për qind e konsumatorëve që kishin probleme blerjeje në internet për shkak të mungesës iu drejtuan shitësve fizikë.

Blerësit online pranuan më shumë se 2 miliardë mesazhe "out of stock" (produkti nuk gjendet) vetëm gjatë muajit tetor, që ishte dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga ADI.

Elektronika, bizhuteritë, veshjet, artikujt e shtëpisë dhe kopshtit ishin disa nga produktet kryesore që u përballën me mungesa.

Megjithatë, e Premtja e Zezë, kur shumë njerëz zgjedhin gjumin në trotuar dhe turmat e mëdha nxitojnë drejt dyqaneve në agim, po bëhet dita numër 1 e blerjeve në internet vitet e fundit.

Pothuajse 80 për qind e konsumatorëve amerikanë pritet të bëjnë shoping në internet, ndërsa Brezi Z dhe ai i Mijëvjeçarëve parashikohet të bëjnë shumicën e blerjeve, sipas Morning Consult.

Gati 2 milionë njerëz më shumë, krahasuar me vitin e kaluar, pritet të blejnë nga Dita e Falënderimeve deri të Hënën Kibernetike, tha Federata Kombëtare e Shitjes me Pakicë (NRF), kurse rreth 158,3 milionë njerëz pritet të bëjnë blerje gjatë fundjavës së Falënderimeve.

Ndërsa 30,6 milionë njerëz planifikojnë të bëjnë blerje në dyqan ose në internet në Ditën e Falënderimeve, 108 milionë njerëz pritet ta bëjnë këtë të Premten e Zezë.

Ndërkaq, e shtuna dhe e diela parashikohet të tërheqin 58,1 milionë dhe 31,2 milionë blerës përkatësisht.

Po ashtu, 62,8 milionë konsumatorë vlerësohen për të Hënën Kibernetike, sipas NRF-së.

ADI vlerëson se shitjet totale në internet gjatë sezonit të festave, nga fillimi i nëntorit deri në Vitin e Ri, do të kalojnë shifrën e 200 miliardë dollarëve për herë të parë në histori, për të arritur në 207 miliardë dollarë.

Shuma rekord, nëse do të realizohet, do të jetë një rritje prej 10 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.