KEDS:Për t’u përballur me krizën energjetike nevojitet ndihma e të gjithëve
Kompania kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën energjentike.
Kriza energjetike tash e më shumë se një muaj e ka prekur edhe Kosovën. Tregu energjetik evropian pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar, thotë KEDS-i.
Por, mundësitë financiare, KEDS-i thotë se janë shterur deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta.
Kompania thotë se e kanë pasqyruar situatën e rënduar në të cilën gjendemi në Task Forcën e krijuar nga Ministria e Ekonomisë, e po ashtu duke bashkëpunuar dhe raportuar direkt edhe në institucionet më të larta shtetërore. Ata thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë palët që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë për të gjithë.
“Tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit, ne jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit”, thotë KEDS-i.
Duke theksuar se kostot e importit të energjisë elektrike po bëhen të papërballueshme, KEDS thekson se janë të hapur për të bashkëpunuar në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Varshmëria ndaj importit na ekspozon ndaj lëvizjes së çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare, e çmimet në tregjet ndërkombëtare aktualisht janë të papërballueshme. Kostot e importit si të tilla nuk janë paraparë gjatë shqyrtimit të fundit tarifor, prandaj, nevoja për mbështetje financiare për sektorin e energjisë është e domosdoshme dhe imediate. Kriza më së lehti tejkalohet me bashkimin e forcave, dhe ne si kompani jemi të hapur për bashkëpunim dhe në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.























