Sektori i tregtisë me numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë
Sharr Travel

Sektori i tregtisë me numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë

Që nga viti 2015, në Kosovë kanë qenë të punësuar mbi 191 mijë persona nëpër sektorë të ndryshëm, mirëpo ai i tregtisë vazhdon të rrëmbejë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore për vite me radhë.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të shpalosura në raportin “Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2020”, shihet se numri më i madh i të punësuarve për një periudhë pesë vjeçare (2015-2020) ka qenë në sektorin e tregtisë i cili përgjatë këtyre 5 vjeteve është rritur në 70 mijë e 867 punëtorë nga 55 mijë sa ishin në vitin 2015. Pas tregtisë vjen sektori i prodhimit i cili më 220-n numëroi 33 mijë e 841 të punësuar, në krahasim me vetëm 23 mijë më 2015.

Sektori i tretë për nga numri i punëtorëve është ndërtimtaria, në të cilën për 5 vjet numri i të punësuarve ka shkuar në 21 mijë e 705, nga 15 mijë e 354 në vitin 2015, ndërkohë që të punësuar në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim ishin 15 mijë e 711 persona më 2020, nga rreth 13 mijë më 2015-n.

Ndërkaq, sektorët e tjerë kanë pasur një rritje më të lehtë të numrit të punëtorëve për këtë periudhë pesë vjeçare, përcjell Buletini Ekonomik.

Vlen të theksohet se në këtë numër nuk bëjnë pjesë të punësuarit në sektorët e veprimtarive ekonomike si: bujqësi, financa, kompani të sigurimeve, arsim, shëndetësi, aktivitetet e ekonomive familjare dhe administratë publike.

Të dhënat e këtij raporti, poashtu kanë treguar se paga mesatare bruto ka qenë përafërsisht rreth 403 euro për vitin 2020. Paga mesatare më e lartë është në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, e cila për 2020-n ka qenë rreth 1 mijë eurove (958), pasuar nga ajo në sektorin informacionit dhe komunikimit me 696 euro, përfshirë këtu edhe sektorin e xehtarisë dhe gurëthyesit në të cilën punëtori më 2020-n është paguar 598 euro.

Ndërsa, punëtorët të cilët merren me furnizimin me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete të revitalizimit të tokës kanë pagën prej 499 euro. Të punësuarit në sektorin e transportit dhe magazinimit kanë një pagë prej 414 euro. Punëtorët e ndërtimtarisë paguhen 370 euro, ndërsa punëtorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë marrin pagë mesatare prej 349 euro.

Tutje, në sektorin e prodhimit, paga për të punësuarit prek shumën prej 327 euro, derisa ajo më e ulëta është në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim me një shumë prej 211 euro.


MË SHUME NGA Ekonomi