Lehtësimet tatimore mund të ndihmojnë kompanitë e prodhimit
Sharr Travel

Lehtësimet tatimore mund të ndihmojnë kompanitë e prodhimit

Një mënyrë për t’u përballur me inflacionin e lartë është duke mbështetur prodhimin në vend dhe duke ulur taksat. Ulja e TVSH-së për ushqimet do të rriste dhe zhvillonte industrinë. Vendosja e një “Certifikate të Gjelbër” është një gabim që mund të çojë në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik.

Kështu deklaroi në një intervistë për BGNES, ekonomisti Plamen Danailov, i cili ka qenë edhe kandidat për postin si ministër i Financave.

“Tre krizat kryesore – shëndetësia, energjia dhe inflacioni i lartë – nuk po ndodhin vetëm në vendin tonë, ato janë të lidhura globalisht. Bullgaria po përjeton tendenca që janë të dukshme në të gjithë botën”, tha Danailov.

Ai vuri në dukje se për shkak të sasisë së madhe të parave të shtypura në 18-mujorin e fundit, inflacioni i lartë ishte lehtësisht i parashikueshëm. Sipas tij, një nga mënyrat për t’u përballur me të, është përmes mbështetjes së prodhimit në vend. Ky proces është plotësisht brenda mundësive të qeverisë bullgare dhe nuk varet nga mbështetja e huaj. Ai mund të realizohet në dy mënyra: 1. nëpërmjet subvencioneve të drejtpërdrejta për ndërmarrjet; 2. nëpërmjet lehtësive tatimore, theksoi ekonomisti.

Sipas tij, subvencionet direkte kanë më shumë gjasa të dështojnë dhe madje mund të sjellin edhe probleme shtesë.

“Lehtësimet tatimore mund të ndihmojnë kompanitë e prodhimit. Marrim një shembull konkret. Së fundmi, TISP zhvilloi takime me përfaqësues të organizatave të degëve të prodhuesve të bukës dhe prodhuesve të qumështit. Ata kërkuan uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe kanë arsye për ta kërkuar këtë. Kjo gjë do të frenonte deri diku edhe inflacionin, sepse me uljen e TVSH-së do të mund të ruhej rritja e çmimeve”, tha Danailov.

“Sigurisht, kjo është brenda mundësive të një Asambleje Kombëtare. Shpresoj që së shpejti do të kemi një Parlament funksional dhe një qeveri të zgjedhur, për të arritur objektivat tona”.

Instrumenti tjetër që mund të ulë inflacionin është rritja e normave të interesit, e cila nuk mund të ndodhë në vendin tonë, sepse kemi një bord valutor dhe ndjekim politikën e përbashkët europiane. “Nëse BQE-ja fillon të rrisë normat e interesit, procesi do të jetë i dukshëm edhe tek ne. Kjo do të ndikonte në uljen e inflacionit. Megjithatë, nga ana tjetër, mund të shkaktojë edhe probleme të tjera. Në kuadrin afatmesëm të periudhës 2022- 2023, nuk ka asnjë tregues për rritjen e normave të interesit”, tha ekonomisti.

Sipas tij, qasja më e mirë do të ishte që euro të fillonte të miratohej kur të ketë një konvergjencë reale, “pra, kur të ardhurat tona të jenë afër mesatares europiane”, the Danailov.

“Përveç faktit që ne aktualisht nuk kemi politikën tonë monetare, BNB-ja mund të ketë shumë pak ndikim. Sapo të bëhemi pjesë e Eurozonës, hapësira jonë e politikës fiskale do të zvogëlohet edhe më tepër. Kjo është arsyeja pse, tani për tani, është mirë që nivelet tona të të ardhurave të barazohen me ato mesatares europiane dhe më pas të miratojmë dhe të fusim në përdorim monedhën e përbashkët. Nuk po them se nuk duhet të bashkohemi me Eurozonën, por duhet ta bëjmë një gjë të tillë në kohën më të përshtatshme për ne”, tha Danailov.

Në Asamblenë e ardhshme Kombëtare, Danailov do të angazhohet në mbështetjen e një politike për uljen e TVSH-së për ushqimet.

“Për fat të keq, nuk është sekret për askënd fakti që në një pjesë të madhe të industrisë ushqimore, nuk lëshohen fare faturat e pagesës gjatë dorëzimit të mallrave dhe kjo është një praktikë e zakonshme. Nëse ulim normën e TVSH-së, shembulli i Rumanisë na tregon se sektori gri do të tkurret shumë. Në të vërtetë, të ardhurat në buxhet nga TVSH-ja, kompensohen brenda një ose dy vjetësh, pavarësisht normës së reduktuar. Qartësimi i rregullave brenda sektorit do të çojë në rritjen e të ardhurave nga tatimet dhe parandalimin e humbjes së fondeve në vend”, tha Plamen Danailov.

Për sa i përket vaksinimit kundër COVID-19, ekonomisti ka mbajtur qëndrimin se vendimi duhet të lihet në dorë të qytetarëve. Sipas tij, gabimi më i madh i qeverisë në këtë drejtim, është mungesa e hartimit të një fushate të gjerë shpjeguese, për t’i informuar siç duhet qytetarët mbi përfitimet e vaksinimit. Dhe duke u mbështetur në këtë informacion, të gjithë mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Problemi për momentin është se ka shumë burime të ndryshme informacioni dhe është e vështirë të merret një vendim i informuar. Prandaj, vaksinimi kundër koronavirusit duhet të jetë vullnetar, tha ekonomisti.

“Mendimi im personal si ekonomist, është se vendosja e një ‘Certifikate të Gjelbër’ për rreth 20% të të vaksinuarve, do të ishte një gabim që do të ngadalësonte rimëkëmbjen ekonomike që kemi arritur tashmë në tremujorin e dytë dhe të tretë. Një sërë biznesesh të vogla mund të përjetonin probleme serioze dhe të shkonin drejt falimentimit”, paralajmëroi Plamen Danailov.

Plamen Danailov bëri thirrje edhe për vendosjen e taksimit të të ardhurave familjare, që do të ndihmonte të ulej një pjesë e barrës së taksave për familjet e reja. Danailov e sheh këtë të fundit edhe si një kauzë personale duke qenë se është vetë baba i tre fëmijëve, dhe si një mënyrë për të luftuar “shterimin demografik”./BGNES


MË SHUME NGA Ekonomi