Balija prezantoi të arriturat e sektorit bankar në Kosovë
Sharr Travel

Balija prezantoi të arriturat e sektorit bankar në Kosovë

Anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës mbajtën takimin e fundvitit në përmbledhje të aktiviteteve të vitit 2021.

Në qendër të bisedës ishin të arriturat e sektorit bankar në adresimin e çështjeve të industrisë bankare për të përmirësuar ecurinë dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit bankar në Kosovë.

Gjithashtu u shqyrtua kontributi i madh që bankat e Kosovës kanë dhënë gjatë këtij viti si në zhvillimin ekonomik të vendit ashtu dhe me kontributin e tyre gjeneroz për kauza të ndryshme shoqërore përmes donacioneve dhe aktiviteteve vullnetare të përgjegjësisë shoqërore.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Z. Albert Lumezi, tha se sektori bankar po luan një rol jetik në kreditimin e ekonomisë dhe është shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Stabiliteti i sektorit bankar nënkupton stabilitet financiar për ekonominë e vendit dhe rritja e kreditimit do të thotë mundësi për zgjerimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve të cilat gjenerojnë vende të punës dhe rrisin bruto prodhimin vendor.

Ndërsa, Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Z. Petrit Balija prezantoi të arriturat e sektorit bankar gjatë këtij viti dhe prezantoi projektet dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2022.

Në këtë takim morën pjesë të gjitha bankat anëtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës.


MË SHUME NGA Ekonomi