Balija: Sektori bankar, shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës
Është hapur “Konventa Vjetore bankare", e organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK). Kjo është ngjarja më e madhe e komunitetit bankar që organizohet në Kosovë.
Konventa e këtij viti ka për synim të mbledhë komunitetin bankar, që veprojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e sektorit bankar në Kosovë, për të diskutuar për temën: “Financimi i Qëndrueshëm: Standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse për Financim të Qëndrueshëm në Kosovë".
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, tha se sektori bankar është njëra ndër shtyllat kryesore të ekonomisë kosovare.
Ai bëri me dije se ky sektor ka përkrahur edhe iniciativa të ndryshme që janë në shërbim të shoqërisë.
Sipas tij financimi i qëndrueshëm synon integrimin e kritereve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së mirë (ESG) në shërbimet financiare dhe në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër dhe një ekonomi më të qëndrueshme.
Kjo Konventë do të rrisë kuptimin e këtyre sfidave dhe do të diskutojë mbi masat e rëndësishme dhe të nevojshme për financim të qëndrueshëm.























