SHBA, çmimet e konsumit me ritmin më të shpejtë vjetor që prej vitit 1982
Çmimet e konsumit në SHBA u rritën me ritmin më të shpejtë vjetor në gati 40 vjet në nëntor, sipas një raporti të publikuar nga Departamenti i Punës në SHBA.
Raporti tregoi se norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit u përshpejtua në 6.8 për qind në nëntor nga 6.2 për qind që ishte në tetor, duke reflektuar rritjen më të madhe që nga qershori i vitit 1982.
Çmimet e energjisë janë rritur me 33.3 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur me 6.1 për qind.
Çmimet bazë të konsumit, duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u rritën me 4.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga qershori i vitit 1991.
Çmimet më të larta për makinat dhe kamionët e përdorur, automjetet e reja, strehimin dhe kujdesin mjekësor kontribuan në rritjen e çmimeve bazë nga viti në vit.
Rritja më e shpejtë vjetore erdhi pasi çmimet e konsumit u rritën me 0.8 për qind në nëntor, pas një rritjeje prej 0.9 për qind në tetor. Ekonomistët kishin parashikuar që çmimet e konsumit të rriteshin me 0.7 për qind.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve ishte pjesërisht për shkak të një rritjeje tjetër të çmimeve të energjisë, të cilat u rritën me 3.5 për qind në nëntor, dhe me 4.8 për qind në tetor.
Çmimet e ushqimeve gjithashtu u rritën me 0.7 për qind në nëntor, duke reflektuar një rritje të gjerë të çmimeve për ushqimet në shtëpi dhe jashtë saj.
Duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe energjisë, çmimet bazë të konsumit u rritën me 0.5 për qind në nëntor, pas rritjes me 0.6 për qind në tetor. Rritja e çmimeve bazë përputhej me vlerësimet e ekonomistëve./atsh























