Banorët kërkojnë përfundimin e punimeve të rrugës `Dëshmorët e Ponoshecit`
BKT
Ekonomi

Banorët kërkojnë përfundimin e punimeve të rrugës `Dëshmorët e Ponoshecit`

Këshilli i Lagjes “Veranda”, i kanë dërguar një kërkesë Liburn Aliut, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me anë të së cilës kërkojnë përfundimin e punimeve të rrugës “Dëshmorët e Ponoshecit”, në Prishtinë.

 Kërkesa e plotë:

Kërkesë për përfundimin e punimeve të rrugës “Dëshmoret e Ponoshecit”

 

I nderuar Ministër,

Ju drejtohem përmes kësaj shkrese për të shprehur pakënaqësinë, zhgënjimin, vështirësitë e banorëve të Lagjes Veranda, ndaj gjendjes aktuale të rrugës Dëshmorët e Ponoshecit.

I nderuar Ministër, rruga që ka lidhë këtë lagje (dhe shtëpi tjera) ka qenë e shtruar në kubëza deri në Gusht 2021. Kjo rrugë ka qenë funksionale dhe ka plotësuar nevojat e banorëve të kësaj pjese. Në gusht, Komuna e Prishtinës ka filluar prishjen e rrugës, dhe siç jemi informuar, shtrimin e rrugës me asfalt dhe ndërtimin e dy trotuareve dhe një korsie për biçikleta.

I nderuar Ministër, tanimë kur kanë kaluar pothuajse 6 muaj që nga rrënimi i rrugës, mos përfundimi i punimeve të planifikuara dhe si rrjedhojë rruga është bërë e pa kalueshme (shih foto),dhe për më tepër shtyllat e rrymës janë rrëzuar nga lëvizjet e dheut për prishjen e rrugës (shih foto) që ka qenë ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët e kësaj pjese, deri në masën e rrezikut të jetës. 

 

  1. Rruga është gërryer dhe e mbuluar me një shtresë të zhavorrit, ku gjatë muajve të verës shkaktohet pluhur shumë i madh që ndotë të gjitha shtëpitë e kësaj zone, përfshi edhe banorët e lagjes Veranda. 

Pluhuri, përveç që është duke ndotur edhe brenditë e shtëpive, ka shkaktuar edhe dëme mjekësorë në frymarrjen me theks të moshuarve dhe fëmijëve. Si rrjedhojë e kësaj, disa herë është dashur të vizitohen të moshuarit në qendrat klinike për shkaqe të vështirësive në frymarrje.

 

     2. Si rrjedhojë e shirave, zhavorri i vendosur është hapur dhe janë hapur gropa të mëdha në rrugë.

Janë me dhjetëra fëmijë të lagjes që shkojnë në shkollë fillore dhe të mesme duke përdorur Kombi-Bus privat. Pasi që rruga ka degraduar me gropa të mëdha, ku pothuajse është e pa përdorëshme, Kombi-Busët që transportojnë fëmijët në shkolla kanë pushuar së transportuari fëmijët e kësaj lagje, dhe si rrjedhojë fëmijët e moshave (6-14) detyrohen të ecin deri në rrugën kryesore, nëpër baltë dhe nën kërcënimin e dhjetra qeneve endacak. Kështu është duke u rrezikuar jeta e fëmijëve pasi që është ulur në masë të madhe qarkullimi i veturave në këtë rrugë, dhe disa nga prindërit nuk kanë mundësi (për shkak të punës, etj.) ti përcjellin fëmijët deri tek rruga kryesore.

Për më tepër pothuajse të gjithë fëmijët kanë ndaluar aktivitetet e tyre ekstra kurrikulare, si kurset e ndryshme, aktivitetet sportive të organizuara, si pasojë e qasjes në transport që pamundësohet nga gjendja e rrugës.

 

   3. Për shkak të lëvizjes së dheut, janë hequr përforcimet e shtyllave mbajtëse të energjisë elektrike dhe telat kanë rënë në rrugë. Kjo është një rrezik aq i madhe saqë është vetëm çështje kohe se kurë ndonjë nga banoret do të jetë viktimë e kësaj pasi që veturat janë duke kalu mbi tela por po ashtu edhe fëmijët që ecin për në shkollë apo kthim, kalojnë mbi këta tela.

 

 

   4.Dëmet e mëdha në vetura janë duke u shkaktuar si rrjedhojë e gropave që zgjerohen dita e ditës me theks gjatë reshjeve të shiut. 

Shpesh ndodhë që veturat të ndalojnë në rrugë, bllokojnë rrugës, pasi që dëmtohen në vend nga këto gropa, pa marrë në konsideratë dëmet që shkaktohen në vazhdimësi në veturat që përdorën nga banorët e lagjes.

 

I nderuar Ministër, jemi informuar se ekzistojnë disa shkresa që dërgohen nga Komuna, Kompania rajonale Iber Lepenc dhe Ministria që ju drejtoni, me qasjen e identifikimit të fajtorëve të gjendjes dhe paraqitur pengesat që nuk lejojnë rregullimin e rrugës. Ndër tjera, duke u thirre edhe në faktin që qenka një gyp i ujit i një diametri të caktuar që përdoret për ujitje të tokave bujqësore.

Pa dashur të hyjmë në detaje se çfarë procedura janë shkelur apo sa e rëndësishme është ekzistenca e një gypi të tillë, ne vlerësojmë që jeta, siguria, dhe mirëqenia e banorëve është më e vlefshme se sa “arsyetimet” e dhëna si nga komuna e ashtu edhe nga Qeveria. Nëpërmjet kësaj forme të (mos) adresimit të këtij problemi, i shkaktuar pa kërkesën dhe miratimin e banorëve të lagjes, është duke u rrezikuar jeta e banorëve, shëndeti i tyre, mirëqenia e tyre, dhe duke u afektu negativisht jeta në çdo aspekt e banorëve të kësaj pjese të Prishtinës, me theks t banoret e lagjes Veranda.

Nëse nuk ekziston vullneti për rregullimin e rrugës dhe shtrimin e saj sipas planit që është bërë nga Komuna e Prishtinës, më e pakta që mundë të bëhet është kthimi i rrugës në gjendjen paraprake. Në të kundërtën, banoret e lagjes janë të shtyrë të marrin masa tjera përkitazi me legjislacionin në fuqi deri në bllokimin e rrugës hyrëse në këtë pjesë përfshi edhe rrugën Dëshmorët e Ponoshecit.

Në pritje të përgjigjes suaj, shpresojmë të hasim në mirëkuptimin e juaj dhe gjendja të sanohet pa filluar ngricat e thella dimërore.

 

Prishtine 13.12.2012                                                           

 

                                                                                                                                                                                                                                  Me respekt,

Në emër të Lagjes “Veranda”

Fanol Sadiku
Kryetar i Këshillit të Lagjes

             


MË SHUME NGA Ekonomi