Turqia ul normat e interesit pavarësisht inflacionit shumë të lartë
BKT
Ekonomi

Turqia ul normat e interesit pavarësisht inflacionit shumë të lartë

Turqia ka ulur sërish normat e interesit, pavarësisht inflacionit shumë të lartë dhe krizës së monedhës vendase.

Banka e saj qendrore uli normën e saj kryesore të interesit me 1%, nga 15% në 14%, kryesisht si pasojë e presionit nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan për uljen e normave në mënyrë që të stimulohet ekonomia.

Ai beson se ulja e normave të interesit do të ndihmojë në zbutjen e inflacionit të lartë.

Kjo është një pikëpamje që bie ndesh me teorinë konvencionale ekonomike.

Me këtë lëvizje të pritur nga të gjithë, banka qendrore turke zgjodhi të vazhdojë rrugën e saj të uljes së normave të interesit ditën e enjte, duke i reduktuar ato me 1 pikë përqindjeje.

Në një deklaratë, banka e krahasoi vendimin e saj me ato të bankave të tjera të mëdha qendrore, të cilat i kanë mbajtur normat e ulëta gjatë pandemisë së koronavirusit për të ndihmuar nxitjen e rritjes ekonomike.

Politikëbërësit turq janë nën një presion në rritje nga zoti Erdogan për të ulur normat e interesit.

Gjatë vitit të kaluar, shkalla e rritjes së çmimeve në Turqi është rritur mbi 21%, duke e bërë të vështirë për turqit që të planifikojnë, të kursejnë ose të shpenzojnë para për mallrat dhe shërbimet e përditshme.

Lira turke ra ndjeshëm kundrejt dollarit pas uljes së normave të interesit dhe kjo është ulja e katërt e tillë në po aq muaj.

Monedha tani ka pakashumë gjysmën e vlerës që kishte në fillim të vitit.

Presidenti dhe aleatët e tij thonë se normat e ulëta të interesit do të nxisin eksportet, investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Turqi.

Por shumë ekonomistë thonë se uljet e tilla të normave të interesit janë të pamatura.

Muajin e kaluar, norma e inflacionit në vend arriti nivelin 21.7%.

Normalisht, bankat qendrore rrisin normat për të luftuar rritjen e çmimeve, por zoti Erdogan i ka quajtur mjete të tilla si “nëna dhe babai i çdo të keqeje”.

Megjithëse banka është përpjekur të forcojë vlerën e lirës duke përdorur rezervat e saj në dollarë për të blerë monedhën, analistët thonë se ajo nuk ka mjaftueshëm fuqi për të ndaluar rënien e tillë të vlerës së lirës turke./ BBC


MË SHUME NGA Ekonomi